Bruksel, 27 gusht – Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të prekura në rajon për përmbajtje maksimale dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Thirrja e BE-së vjen pas incidentit me dronin izraelit i cili u rrëzua në pjesën jugore të Bejrutit, bastion i lëvizjes shiite ushtarake libaneze, Hezbollah, të cilën Izraeli e konsideron grup terrorist.
Droni i cili u rrëzua në Bejrut ishte i armatosur, ndërsa presidenti libanez, Mishel Aun, porositi se këtë akt e konsideron si “deklaratë për luftë” nga ana e Izraelit dhe se vendi i tij merr të drejtën të mbrohet, nëse ka nevojë.
Izraeli nga ana e vet nuk i komentoi akuzat e Bejrutit zyrtar dhe të Hezbollahut për dronin, por ky eskalim i fundit shkaktoi shqetësim në BE.
“Është përgjegjësi e të gjitha palëve në rajon që të përmbahen maksimalisht, ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të evitojnë eskalim të mëtutjeshëm të situatës potencialisht të rrezikshme dhe delikate”, qëndron në kumtesën e Shërbimit evropian për aksion të jashtëm.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha palëve t’u përmbahen rezolutave relevante të Kombeve të Bashkuara.
“BE-ja vazhdon ta mbështesë stabilitetin, sigurinë dhe sovranitetin e Libanit dhe është në koordinim të afërt me partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë qëllim. Në fund, nuk mund të ketë zgjidhje unilaterale apo ushtarake për problemet në Lindjen e Afërt”, porositë BE-ja.