Liderët evropianë kanë hedhur poshtë mundësinë që BE-ja të ndërmjetësojë në kontestin ndërmjet Spanjës dhe Katalonisë. Ata thanë këtë pasi që qeveria spanjolle njoftoi se po shqyrton ndërmarrjen e hapave drejt heqjes së autonomisë për Katalonjën. Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, tha në margjina të samitit të BE-së në Bruksel se nuk ka vend për asnjë lloj ndërmjetësimi dhe as nisma, apo aksione ndërkombëtare”. Tusk tha se situata në Spanjë është shqetësuese, por kriza e Katalonjës nuk është në agjendën e samitit në Bruksel. Spanja insiston që lidhur me këtë çështje të mos diskutohet në samit. Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, tha se askush në Bashkimin Evropian nuk do ta njohë Katalonjën si shtet sovran nëse shpall pavarësinë nga Spanja.