Shkup, 17 nëntor – Është e qartë se zgjedhjet në dhjetor janë një mundësi për Maqedoninë, që politikanët ta nxjerrin shtetin nga kriza dhe ta lëvizin përpara, drejt integrimit euroatlantik. Megjithatë zgjedhjet duhet të jenë të besueshme dhe kredibile. Këtë sot e theksuan pjesëmarrësit në takimin e 13-të të Komitetit të përbashkët konsultativ midis Komitetit të rajoneve të BE-së dhe të Republikës së Maqedonisë. Takimi është në organizim të Bashkësisë së Njësiteve të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Komitetit të rajoneve të BE-së. Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi informon se Qeveria dhe drejtpërdrejtë pas marrjes së Raportit për përparim të Republikës së Maqedonisë në procesin e arritjes së Bashkimit Evropian për vitin 2016, do të fokusohet me tërë kapacitetin e vazhdimit të procesit reformues, i cili siç tha edhe më tej mbetet prioritet i ynë i lartë shtetëror. “Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në kuadër të kompetencave të saj, do të fokusohet në forcimin e autoriteteve lokale përmes procesit të decentralizimit fiskal dhe përmes zhvillimit rajonal”, tha Elezi. Lukash Holub, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë theksoi se njësitet e vetëqeverisjes lokale kanë rol shumë të rëndësishëm në procesin e zgjerimit dhe në integrimin e vendit në BE. Midis çështjeve tjera, siç tha, sot do të flasim për krizën politike dhe për ndikimin e saj ndaj vendit, si dhe për ndikimin ndaj komunave. “Do të flasim edhe për sfidat me të cilat përballen komunat në punën e tyre të përditshme dhe për mënyrën në të cilën BE-ja mund të japë mbështetje për komunat në vend. Planifikojmë që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojmë një projekt prej 2,2 milionë eurove për mbështetje të komunave, veçanërisht në lidhje me përforcimin e shërbimeve të tyre për qytetarët dhe përmirësimin e rritjes së qëndrueshme, të bazuar në njohuri në komunat”, tha Holub. Sipas tij, në këtë moment mendimet e qytetarëve dhe politikanëve, fokusohen në zgjedhjet në dhjetor. “Është e qartë se zgjedhjet janë një mundësi për vendin, që politikanët ta nxjerrin vendin nga kriza dhe ta lëvizin përpara, drejt integrimit euroatlantik. Megjithatë zgjedhjet duhet të jenë të besueshme, kredibile dhe shpresojmë se pas zgjedhjeve do të mund të bashkëpunojmë me qeverinë e re për reformat dhe të diskutojmë për atë si mund të përmirësohet situata. Shpresojmë se kjo do të ketë ndikim të mirë edhe në komuna”, tha Holub, duke shtuar se këtë vit, KE-ja sërish rekomandoi hapje të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë, megjithatë, siç thekson, kjo është kushtëzuar nga zgjedhjet kredibile dhe zbatimi i reformave të nevojshme.