Bruksel, 22 janar – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot paralajmëroi vendosjen e një shenje të re në hartën epidemiologjike të Evropës, një zonë e kuqe e errët nga e cila udhëtarët duhet të testohen para se të largohen dhe të vendosen në karantinë pas mbërritjes në destinacion.
“Ngjyra e kuqe e errët do t’i tregojë zonat ku qarkullimi i virusit është jashtëzakonisht i lartë,” tha fon der Lajen pas samitit të liderëve të BE-së, i cili ishte kushtuar koordinimit të masave për luftë kundër pandemisë së koronavirusit.
Shënimi i zonave epidemiologjike nuk varet nga kufijtë kombëtarë. Fon der Lajen e thekson si shembull rastin kur në një vend anëtar kufijtë në zonën kufitare janë të mbyllur, ndërsa janë të hapur në atë fqinj me të njëjtën situatë epidemiologjike. “Në atë rast, të gjithë nga vendi i parë do të bëjnë shopin në vendin e dytë dhe kështu do të kontribuojnë në përhapjen e virusit”, thotë Fon der Lajen.
Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell tha se liderët e vendeve anëtare ranë dakord se është e nevojshme të shqyrtohen mundësitë për kufizimin e udhëtimeve, të cilat nuk janë të nevojshme.
“Jemi të bindur se, kur bëhet fjalë për udhëtime jo-thelbësore, duhet të merren parasysh kufizimet” tha Mishel, duke shtuar se kufijtë duhet të mbeten të hapur që tregu i vetëm të funksionojë siç duhet.
Edhe Mishell edhe Fon der Lajen e theksuan rrezikun e mutacionit të virusit, variante të reja që janë shumë më ngjitëse. Prandaj, ekziston marrëveshje për rritje të renditjes së gjenomit Kovid-19 në mënyrë që në kohë të zbulohen mutacionet e virusit.