BE do të duhej ta rishikoj pozicionin e Serbisë në procesin negociues dhe nga ajo duhet kërkuar që të ndërpresë praktikat koloniale në raport me Kosovën, sepse kjo e fundit ende figuron si pjesë përbërëse e Kushtetutës serbe. Në fakt, duhet të ndodhë rikthimi i Serbisë në pozicionet e fajësisë për të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe vetëm atëherë mund të flitet për një denacifkim të plotë të procesit negociues
Nga Emin AZEMI
Me Josep Borrellin në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian vlerësohet se pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë më i vështirë, pasi diplomati spanjoll ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.
Po ky Borrelli në Bruksel do mbrojë qëndrimet e diplomacisë spanjolle, apo do të përfaqësojë politikën e jashtme të BE-së?. Sepse, medoligjikisht këto janë dy gjëra të ndryshme dhe të kundërta.
Nëse BE nuk ka kurrfarë qëndrimi për Kosovën, atëherë vaj halli nëse është pritur deri tash që politikën e jashtme të saj tash e tutje ta riprojektojë një diplomat spanjoll.
Diplomacia e BE-së do të bëhet një leckë e pavlerë, nëse në çdo mandat rotativ ndryshohen strategjitë e politikës së jashtme, varësisht se cili burokrat vjen në krye të saj. Aq më keq, nëse këta burokratë udhëheqin politika të standardit të dyfisht kundrejt Serbisë, e cila ende në Kushtetutën e saj Kosovën e ka pjesë përbërëse… Kundrejt një Serbie e cila ende nuk ka paguar një qindarkë dëmshpërblim për gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës… Kundrejt një Serbie e cila ende në nëntokën e saj mban qindra shqiptarë të pagjetur, viktima të çmendurisë kanibaliste të bandave serbe në vitet 89/99 të shekullit të kaluar…Kundrejt një Serbie që angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj në procesin e çnjohjes së Kosovës nga shtetet e ndryshme të botës….
Borreli mundet në Madrid të mbajë qëndrime antikosovare, por në Bruksel performansa dhe mandati i tij janë të kushtëzuar nga vizioni i BE-së që ka për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën.
Por, në anën tjetër elita politike e Prishtinës nuk duhet të rrijë duarkryq. Parasegjithash do të duhej demonstruar në praktikë një unitet më i madh politik, pa dallime e kontroversa të cilat jo vetëm që manifestohen brenda, por ato reflektohen edhe jashtë. Kosova ende nuk e ka një strategji të përpiluar në detaje sa i përket negociatave me Serbinë. Kosova në raport me Serbinë nuk flet me një zë, sepse qëndrimet e krerëve të Prishtinës në nuanca të caktuara dallojnë nga njëri tjetri. Kosova ka lënë përshtypjen se është shumë e kënaqur me të kaluarën e saj në raport me Serbinë dhe askush nuk e ka të qartë se si është e mundur që deri më tani nuk u iniciua asnjë proces ndërkombëtar për ta penalizuar veprimin gjenocidal të Serbisë në vitet pushtimit në Kosovë.
BE deri tani ka qenë më tepër monitorues i procesit negocues në mes të Prishtinës e Beogradit, por nuk ka imponua qëndrime që do ta bënin këtë proces më efikas. Rasti i Maqedonisë së Veriut është shumë ilustruese për ta kuptuar se diplomacia e BE-së është treguar jo shumë efikase në tejkalimin kontesteve rajonale, prandaj u deshtë të ndodhë invovlimi i faktorëve tjerë (OKB, SHBA) që kontesti në mes të Shkupit e Athinës të merr një epilog pozitiv.
Perceptimi ndërkombëtar për simetrinë e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë vuan nga pasoja e një lufte të egër propagandistike që ka udhëhequr Beogradi në dëm të Kosovës, duke prezantuar atë gjoja fajtorin kryesor për mosarritjen e një marrëveshje finale. Por e vërteta është krejt tjetër. Kosova është palë e dëmtuar në konfliktin e viteve 88/89 të shekullit të kaluar dhe nga ky pozicion ajo do të duhej të trajtohet si vend postkonfliktual dhe për rrjedhojë saj i takojnë të gjitha përfitimet financiare, politike, morale në mënyrë që të bëhet e barabartë në dialog me Serbinë.
Gabimi i klasës politike të Prishtinës qëndron pikërisht këtu. Ajo u ngut të futet në dialog pa i inventarizuar dëmet që i kishte shkaktuar Serbia dhe me këtë tërthorazi ndodhi një shfajësim i përgjithshëm i Beogradit për gjithë atë gjenocid që e kishte bërë në Kosovë.
Por, BE do të duhej ta rishikoj pozicionin e Serbisë në procesin negociues dhe nga ajo duhet kërkuar që të ndërpresë praktikat koloniale në raport me Kosovën, sepse kjo e fundit ende figuron si pjesë përbërëse e Kushtetutës serbe. Në fakt, duhet të ndodhë rikthimi i Serbisë në pozicionet e fajësisë për të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe vetëm atëherë mund të flitet për një denacifkim të plotë të procesit negociues. (koha.mk)