Bie fjala mund të planifikojmë në planet e zhvillimit, ndërtimin e një ure apo rruge në një vendbanim rural ku do të investohen me qindra mijë euro apo disa milion euro, ndërsa pas dhjetë vitesh do ti kemi të zbrazëta shumicën e shtëpive të asaj ane, me çka kemi hedhur të hollat në bunar
Nga Fisnik PASHOLLI
Në vitet e kaluara ndihma evropiane për Maqedoninë e Veriut përllogaritet në 80 deri 95 milion, ndërsa me hapjen e bisedimeve në vitin e ardhshëm pritet që të shumëfishohet kjo shumë. Në periudhën e kaluar, ndihma financiare evropiane e mjeteve të pakthyeshme ka shkuar për realizimin e reformave të ndryshme me qëllim që të jemi një shoqëri më e rregulluar, si kusht themelor për tu anëtarësuar në BE.
Fushat ku është investuar janë të ndryshme duke filluar nga zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, përforcimi i institucioneve, bujqësi, gjyqësor, shëndetësi, arsim e deri tek bashkëpunim tej kufitar dhe fushat e tjera. Përvojat e Kroacisë, gjatë anëtarësimit të saja para pesë viteve, udhëzojnë se që tani nevojitet të përgatitemi më seriozisht si shtet për të tërhequr fondet evropiane. Vetëm në pesë vitet e fundit Kroacia ka thithur më pak se 2 miliardë euro nga mjetet në disponim prej 10.7 miliardë euro. Më shumë të holla kanë tërhequr sipërmarrësit dhe fusha e konkurrencës, ndërsa më pak kanë marrë mjete, fushat si internet dhe mbrojtja nga vërshimet. Gjithashtu hulumtimi i realizuar para dy viteve i zbatuar në 500 organizata të ndryshme tregoi se shteti kroat ka nevojë për 2700 profesionistë për fondet evropiane që me angazhimin e tyre do të rrisin kapacitetin absorbues të tërë sistemit.
Bile në shtetin kroat funksionon edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe fondeve të Bashkimit Evropian, që si detyrë të punës e ka zhvillimin e barabartë rajonal të të gjithë shtetit. Ndoshta gjatë reformave të ardhshme tek duhet të mendohet që edhe ministria e tanishme e Pushtetit Lokal, të transformohet në një dikaster të tillë, me kompetenca dhe buxhet më të madh, me kuadro dhe profesionistë të lëmive të ndryshme, që do të zbuste zhvillimin jo të barabartë rajonal që aktualisht si problem e ngarkon zhvillimin e tërë vendit.
T’i kthehemi realitetit tonë që kemi një shfrytëzim të pamjaftueshëm të fondeve evropiane. Ekspertët thonë se kapaciteti i administratës publike të çdo vendi kandidat, Bashkimi Evropian e mat me nivelin e shfrytëzimit të fondeve paraqasëse që janë në disponim.
Ndoshta edhe një vizion më i qartë, afatgjatë dhe më i kapshëm për zhvillimin e shtetit, apo një konsensus nga të gjitha faktorët në vend, se kah do të lëvizim si shoqëri në 10-20 vitet e ardhshme në prizmin e ndryshimeve aq të mëdha në rrafsh global , do të ofronte edhe një mundësi më të madhe për shfrytëzimin e fondeve evropiane.
Bie fjala mund të planifikojmë në planet e zhvillimit, ndërtimin e një ure apo rruge në një vendbanim rural ku do të investohen me qindra mijë euro apo disa milion euro, ndërsa pas dhjetë vitesh do ti kemi të zbrazëta shumicën e shtëpive të asaj ane, me çka kemi hedhur të hollat në bunar. Pra, nevojitet jo vetëm aftësimi i kuadrove, por edhe planifikimi më serioz dhe përmbajtësor i zhvillimit të shtetit në aspektin ekonomik, demografik, politik. Apo thënë ndryshe, përveç obligimit që të përgatitemi sa më mirë negociatave për anëtarësimin në një BE, që aktualisht po merr kohë të reformohet në balancimin midis pavarësisë më të madhe të shteteve apo centralizimit të Brukselit, të nevojave dhe kërkesave të anëtareve më të fuqishme politike dhe ekonomike dhe atyre të shteteve më të vogla, turbulencave në botë, rivalitetin me SHBA-të dhe fuqive tjera, ne duhet që sa më mirë të përgatitemi që të jemi të gatshëm që të shfrytëzojmë dhe realizojmë përfitimet e anëtarësimit , që në vitet e para pas aderimit në BE. (koha.mk)