Bruksel, 14 gusht – Ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve të Bashkimit Evropian ranë dakord sot për të përgatitur një listë të njerëzve në Bjellorusi që do të sanksionohen, për shuarjen e dhunshme të protestave për shkak të vjedhjes në zgjedhje dhe fitoren e Presidentit Aleksandër Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar, njoftuan mediat perëndimore, duke cituar burime diplomatike.
“BE është e vendosur të vendosë sanksione të reja për zyrtarët bjellorusë përgjegjës për veprimet brutale në shtetin ish-Sovjetik,” deklaroi Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Hajko Mas. Ai i kritikoi trazirat pas zgjedhjeve si “plotësisht të papranueshme”.
“Qëllimi ynë është të vendosim njerëz të caktuar që janë të njohur dhe kanë marrë pjesë në krime kundër protestave paqësore nën regjimin e sanksioneve të BE-së”, deklaroi ai. Mas dhe homologët e tij nga vendet e tjera të BE-së e diskutuan sot çështjen në një telekonferencë.
Objektivat dhe vëllimi i masave duhet të përcaktohen. Një zyrtar evropian tha se do “të hartohet një liste me emra”.
Polonia, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania dhe Danimarka kanë bërë thirrje për një letër të përbashkët për vendosje të “masave kufizuese kundër zyrtarëve bjellorusë” përgjegjës për rezultatet e zgjedhjeve, sipas të cilave presidenti Lukashenko ka fituar 80 për qind të votave dhe për rrahjen dhe arrestimin e protestuesve civilë.
Gjermania, Austria dhe Suedia tashmë kanë bërë thirrje për sanksione urgjente, me ç’rast gjithsej nëntë shtete anëtare të BE-së kërkojnë kufizime ndaj regjimit të presidentit Lukashenko.
Sipas mediave perëndimore, të cilat iu referohen qarqeve diplomatike në Bruksel, kundërshtari më i madh i sanksioneve është Hungaria, e cila tashmë ka kërkuar heqjen e sanksioneve të mëparshme ndaj Bjellorusisë.