Bashkimi Demokratik për Integrim sot shënon 15-vjetorin e themelimit. Nga partia, përmes një kumtese për mjetet e informimit kanë falenderuar të gjithë bashkëpartiakët, bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët, anëtarët, simpatizantët, përkrahësit, aktivistët dhe qytetarët për mbështetje ndaj partisë, të cilët, njëherit, nga BDI i cilësojnë shtyllë kryesore për ekzistencën tashmë 15-vjeçare.
Në kumtesë informojnë se 15 vjet më parë, bashkëthemeluan vlerën kombëtare tashmë të dëshmuar, pasardhësen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Bashkimin Demokratik për Integrim.
“Pesëmbëdhjetë vjet bashkë ngadhënjyem në beteja të pandërprera dhe në shërbim të qytetarëve, duke filluar nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, referendumin për ndarjen teritoriale në vitin 2004, zgjedhjet lokale të vitit 2005, zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, zgjedhjet e parakohëshme parlamentare tv vitit 2008, zgjedhjet lokale dhe presidenciale më 2009, zgjedhjet e hershme parlamentare më 2011, përsëri ato të parakohëshmet në 2014 gjer në zgjedhjet e fundit në dhjetor të vitit 2016”, thuhet në kumtesë. Nga BDI, njoftojnë se në këto 15 vite, pas kuvendit themelues, organizuan edhe katër kongrese, nga të cilët i pari më 19 nëntor 2005, i dyti më 19 dhjetor 2009, ndërsa i treti në përvjetorin e partisë më 5 qershor të vitit 2014, gjersa duke vendosur standard të ri jo vetëm për BDI-në, por edhe për të gjitha partitë në vend dhe rajon, organizuan kongres dyditor tematik në mars të vitit 2015.
“Në këto 15 vitë të nderuar anëtar dhe qytetar, kemi bërë shumë bashkë, duke filluar nga: ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ndarja teritoriale, simbolet kombëtare shqiptare, avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit, rrumbullakësimi i infrastrukturës në arsimin sipëror me legalizimin e USHT-së, hapjen e fakulteteve të reja, konvikteve, sallave të reja sportive, themelimi i universitetit shtetëror shqiptar në Shkup, themelimi i shumë shkollave, çerdheve, sallave sportive, ndërtimi i zonave të lira ekonomike në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Shkup, Likovë, marrja e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizim të vizave me vendet e BE, hapja e dialogut të lartë paraqasës me BE, fillimi i gasifikimit për Shkup, Tetovë dhe Gostivar, ndërtimi i shumë rrugëve dhe autostradës Kërçovë – Strugë, lidhje energjetike me Shqipërinë, kalim të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë pa pasaporta, demarkacioni i vijës kufitare me Kosovën, njohja e pavarësisë së Kosovës, sheshi Skënderbeu, sheshi Iliria, sheshi i flamurit, Skënderbeu, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Josif Bageri, Nexhat Agolli, Pjetër Bogdani në Shkup, shënimi i 100 vjetorit të alfabetit, 100 vetorit të lindjes së Nënës Terezë si dhe 100 vjetorit të flamurit, teatri shqiptar në Shkup, biblioteka dhe teatri në Tetovë, Muzeu i Manastirit dhe Muzeu i Lirisë, Qendra Memoriale Nëna Shqiptare në Zajaz, ujësjellës në vendbanime shqiptare, qendra urgjente në Tetovë dhe qendra spitalore, subvencione bujqësore, bursa arsimore dhe proekte të tjera të panumërta”, ceket në kumtesë.
“Por, ky 15 vjetor gjithashtu na gjen edhe me sfida shumë serioze dhe përcaktuese për shqiptarët, për vendin, për rajonin. Në rrethana të përplasjeve të mëdha të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të thyerjeve ideologjike, Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i palëkundur në orientimin e vet për një Maqedoni dhe rajon të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm me Uashingtonin dhe Brukselin, shtohet më tej në kumtesë.
Njëkohësisht, thuhet në kumtesë “të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim jemi më se të përkushtuar për të ndërtuar një shtet të drejtë, një shtet të së drejtës, një shoqëri ku sundon ligji, i barabartë për të gjithë. Përkushtimi jonë në këtë përvjetor do të sjell edhe rrumbullakësimin normativ të Marrëveshjes së Ohrit nëpërmjet të barazisë gjuhësore, por edhe hapërim të guximshëm drejt portave të NATOsë dhe BEsë si dhe fokus absolut në rritjen e standardit të jetesës, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.
“U bënë 15 vite që kur Bashkimi Demokratik për Integrim qëndron në ballë të rezistencës duke e vrarë frikën të mbjellur dekada me rradhë, duke bërë përpjekje të njëpasnjëshme që shqiptarët të mos përçahen dhe të bëhen më të rëndësishëm, duke luftuar kundër urrejtjes dhe pabarazisë si dhe rrymave tjetërsuese kombëtare. Dhe pikërisht ky 15 vjetor është momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen më të thellë për çdo votues, për secilin përkrahës dhe për çdo qytetar që ndër këto vite na ka qëndruar pranë, ka investuar besimin e vet në gratë dhe burrat e Bashkimit Demokratik për Integrim për t’i prirë proceseve gjatë gjithë këtyre viteve”, thuhet në fund të kumtesës së BDI-së.