Fatos RUSHITI
Shkup, 4 janar – Dalja e Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria ka lënë të hapur dilemën edhe pas Vitit të Ri nëse do të hyj PDSH në Qeveri apo shumica parlamentare mund të vazhdojë të mbetet e brishtë deri në një rikonstruim të Qeverisë që flitet se mund të ndodh mes fundit të marsit dhe fundit të qershorit të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Në LSDM i hedhin poshtë raportet mediale se ka pasur bisedime mes kësaj partie dhe PDSH-së për ndarjen e kulaçit qeveritar. “Nuk ka diçka të vërtetë nga këto spekulime deri më tani nuk kemi pasur biseda më PDSH-në. Mbetemi ende në qëndrimin e liderit të partisë se si parti më e madhe e koalicionit qeveritar, jemi të hapur për çdo parti përfshirë dhe PDSH-në për të qenë pjesë e Qeverisë reformatore”, thonë në LSDM. Ndërkohë, BDI-së nuk i ngutet të zhvillojë bisedime me PDSH-në për hyrjen e saj në Qeveri. “Nuk na shpejtohet në këtë drejtim. Për momentin, shumica në parlament ka minimumin e duhur për të funksionuar prej 61 deputetësh. Kjo nuk do të thotë se jemi të mbyllur për PDSH-në, përkundrazi – jemi pro që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë, por për pozicionin e saj natyrisht se duhet biseduar. Ndoshta dhe mundet që vetëm të plotësohen postet qeveritare që i pati ASH, kjo varet si do të merren vesh liderët nëse do të ketë bisedime të tilla”, thonë në BDI. Ndryshe, nga burime tjera partiake të afërta me BDI-në, gazeta KOHA merr vesh se hyrja e partisë së Menduh Thaçit në Qeveri kundërshtohet nga një grup i fortë i BDI-së që mban poste të larta qeveritare, por ajo që ka rëndësi për PDSH-në, sipas këtyre burimeve, është fakti se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka disponim shumë pozitiv që PDSH të bëhet pjesë e Qeverise. Por bisedat e vërteta mund të nisin pas miratimit të Ligjit për shqipen, meqë BDI do t’ua bëjë më dije partive shqiptare se edhe pa ato i ka votat e sigurta për këtë Ligj. Në PDSH janë të mbyllur dhe nuk japin asgjë për hyrjen eventuale të kësaj partie në Qeveri. Në kuluaret politike qarkullojnë zëra se në rast të mos hyrjes së PDSH-së në Qeveri, shumica parlamentare do të plotësohet nga deputetet e komuniteteve pakicë që janë ende në koalicion me VMRO-në. Kjo për të mos pasur problem me kuorumin dhe për votimin e rendit të ditës, si dhe në fund për miratimin e ligjeve që propozohen nga Qeveria. Në seancën e fundit kur u miratua Ligji për këshillin gjyqësor, para Vitit të Ri dhe kur u votua për ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësministrin e Arsimit, shumica u plotësua nga deputeti i pavarur Çedomir Sazdovski që më parë ishte në koalicion parazgjedhor me VMRO i nominuar nga partia e tij – GROM. Për kalimin nga opozita tek shumica ka një kohë që flitet dhe për deputetin Panço Minov nga partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë, por i cili ende zyrtarisht nuk ka ndonjë qëndrim ndërsa u pa disa herë i pranishëm gjatë seancave plenare ndërkohë që deputetë e koalicionit bojkotonin Parlamentin. Ndryshe, në disa media u fol se për PDSH-në është rezervuar posti që iu servua ASH-së – ai i zëvendëskryeministrit për reforma, postet e zëvendësministrave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Transportit dhe posti i sekretarit shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe dhjetë drejtori. Nga ana tjetër, për PDSH-në u fol gjithashtu se mbeten në qëndrimin e vjetër – të udhëheq më Ministrinë Punëve të Brendshme, por që këto zëra mbeten në nivel të spekulimeve. (koha.mk)