Tetovë, 7 maj – Sot, në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë është bërë vendosja e gurrthemelit të investimit të ri të kompanisë Lear dhe Normak, një investim i cili do të mundësojë 1.500 mijë vende të reja të punës. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili pasi ka përshëndetur këtë iniciativë të re të investimit nga kompania Lear dhe Normak, duke theksuar se si parti po punojnë për politika sa më të mira ekonomike për investitorët e huaj që vendosin të investojnë në vendin tonë.
Krahas Ahmetit, të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurrthemelit të investimit të ri ishin edhe Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe funksionarë të tjerë.
Zona e lirë ekonomike në Tetovë njihet si një prej zonave më të suksesshme në vend dhe deri më tani aty funksionojnë shumë kompani të huaja dhe vendore të cilat me kapacitet e tyre kanë punësuar mijëra qytetarë nga Tetova dhe rrethina e saj. Deri më sot, në këtë zonë të lirë ekonomike janë investuar 40 milion euro, ndërkohë që investimi i cili vuri gurrthemelin sot arrin vlerën prej 15 milion euro.
Ndryshe, kohë më parë Qeveria përfundoi procesin e investimit të partnerit privat dhe pronësisë së Zonës së lirë ekonomike, me çka i jepet përparësi kompanive të huaja dhe vendore të cilat shprehin
interesim për investim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave për zonat ekonomike në vend, bashkëpunimi i kompanive ka arritur vlerë të madhe pavarësisht faktit se kompanitë të cilat funksionojnë në kuadër të zonave të lira ekonomike kanë eksportuar mallra në vlerë prej miliarda euro. Analizat nga Qendra ekonomike, nxjerrin në pah se çdo investim i huaj në vend sjellë dobi në aspektin e hapjes së vendeve të reja të punës dhe kjo gjë është dëshmuar viteve të fundit bazuar në statistikat sa i përket përqindjes së papunësisë.