Fatos RUSHITI
Shkup, 3 shtator – Partitë politike shqiptare, si ato në pushtet ashtu dhe ato opozitare, po finalizojnë vendimet lidhur me kandidaturat për kryetarë komunash dhe për këshilltarë komunal, shkruan gazeta KOHA. Përderisa në BDI më shumë se 80 % e kandidatëve për kryetar komunash dhe bartësve të listave për këshilltarë komunal janë afër konfirmimit zyrtar, në dy partitë tjera ASH dhe Lëvizjen BESA, kandidaturat janë më larg konfirmimit, edhe pse emrat e mundshëm vetëm se dihen në shumicën e komunave, por që priten me interes bisedimet rreth një koalicionimi të mundshëm parazgjedhor mes këtyre subjekteve dhe krejt në fund të kristalizohen edhe emrat për kryetar komunash dhe për këshilltarë komunal. Nga burimet të sigurta partiake merret vesh se BDI do të del me figura të forta partiake, edhe atë me kuadrot të cilat deri më tani kanë drejtuar komunat urbane, ndërsa përjashtime të vogla ka në komunat rurale ku vërehen emra të rinj. Në Tetovë, sipas këtyre burimeve për BDI-në do të kandidojë sërish kryetarja aktuale Teuta Arifi, me synimin të fitojë sërish përballë një kandidature nga partitë rivale, qoftë ajo e Bilall Kasamit kryetarit të Lëvizjes BESA, apo edhe ndaj kandidaturës së PDSH-së, nga e cila ende nuk ka emra konkret kandidues.
Në Gostivar garës në BDI do t’i prij sërish Nevzat Bejta, njëri ndër njerëzit më me ndikim në parti dhe njëri ndër kreatorët e koalicionit me LSDM-së. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, siç ishte rasti me Rufi Osmanin, Bejta në këto zgjedhje përballë mund të ketë një figurë të rëndësishme politike si ajo e Arben Taravari të ASH-së, partia e cila kësaj radhe njërin ndër synimet kryesore bashkë me Strugën e ka të marrë udhëheqjen në Komunën e Gostivarit. BDI në Strugë do të provojë sërish me ish kryetarin e kësaj komune Ramiz Merkon, tani ministër pa resorë për investime të huaja në Maqedoni. Arsyeja pse është zgjedhur Merko është se ka në kompaktësi të plotë të gjitha degët dhe njerëzit më ndikim në vota dhe se ka patur rezultate të kënaqshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo sipas burimeve në BDI. Por Merko do të ketë një garë të nxehtë në Strugë, pasi përballë sipas të gjitha gjasave do të ketë kryetarin e ASH-së, Zijadin Sela. Dibra dhe Kërçova sërish i janë besuar kryetarëve aktual, Ruzhdi Latës dhe Fatmir Deharit, dy komuna këto ku BDI pret fitore të sigurt. Në Zhelinë, BDI do të konkurrojë në zgjedhje me Fatmir Izairin, në Bogovinë me Berzat Bejtullahun, kurse në Vrapçishtë kandidat për kryetar do të jetë kryetari aktual i Këshillit komunal Gajur Rushiti. Ish-deputeti i legjislaturës 2002-2006 Agim Xhelili do t’i prijë garës për kryetar në Komunën e Tearcës, ndërsa në Studeniçan me synimin për ta marrë nën udhëheqje këtë komunë, BDI do të kandidojë ish deputetin Fehmi Jonuzi. Për Sarajin BDI është afër të servirë ish-kryetarin e kësaj komune Blerim Bexhetin, si kandidat i cili në moment të fundit ka arritur të marrë mbështetjen përballë Bashkim Ahmetit, ish ministër i Ekologjisë në Qeverinë teknike. Në Likovë, BDI ka surprizuar me kandidatin Erkan Arifi që vjen nga fshati Mateç dhe punon si ekonomist në administratën komunale, i cili përballë do ta ketë Shaban Zendelin nga Lëvizja BESA, e cila po ashtu ka synime të mëdha për t’ia rrëmbyer udhëheqjen 12 vjeçare BDI-së në këtë komunë. Në Kumanovë BDI bartës liste për këshilltarë komunal nuk do ketë figurë partiake, por ai do të vijë nga shoqëria civile. BDI në Çair do të kandidojë me zëvendësministrin e Arsimit Visar Ganiu, kurse në Haraçinë gara për të marrë nominimin në parti është ende e hapur, por që deri në fund të javës edhe aty do të dihet emri i kandidatit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.