Shkup, 16 tetor – Krahas diferencës së madhe në vota që BDI ka arritur ta marrë për kreun e Komunës së Sarajit, kjo parti bindshëm ka fituar edhe në Këshillin Komunal të kësaj njësie të vetëqeverisjes lokale, shkruan gazeta KOHA. Nga numri i plotë i votave, siç thuhet në rezultatet e shpallur nga KSHZ, ditën e 15 tetorit në këtë komunë të drejtën e votës për këshilltarë e kanë shfrytëzuar 53 për qind e trupit votues, gjegjësisht mbi 16 mijë vota janë derdhur në konton e këshilltarëve të ardhshëm të kësaj komune. Kështu që, nga gjithsej 7601 vote sa ka fituar BDI, në bazë të llogaritjeve përfundimtare, del se 10 këshilltarë do të jenë nga radhës e partisë në fjalë. Pastaj vijon Lëvizja BESA me 4144 vota, gjegjësisht 6 këshilltarë dhe Aleanca për Shqiptarët e cila ka arritur të tubojë mbi 3 mijë vota, ndërsa në Këshillin e Komunës së Sarajit do të përfaqësohet nga 3 këshilltarë. Ky këshill përbëhet nga 19 këshilltarë (koha.mk).