Shkup, 1 prill – Bashkimi Demokratik për Integrim po hyn i përgatitur në këtë fushatë zgjedhore në dy segmente , për zgjedhjet presidenciale në vend dhe ato lokale në komunën e Dibrës ku ka zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunës, deklaroi sot zëdhënësi i Shtabit Qendror të Zgjedhjeve të BDI-së, Arbër Ademi, në ditën kur edhe zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore.
Ne si BDI, tha Ademi, jemi mobilizuar të gjithë BASHKË – aktivistët dhe kreu i partisë për të shënuar suksesin e radhës.
“Konkretisht, Bashkimi Demokratik për Integrim nga sot në teren ka përfaqësuesit e vet partiakë të të gjitha niveleve, si dhe mijëra aktivistë, të cilët në çdo vendbanim, do të përcjellin përcaktimin tonë për këto zgjedhje presidenciale dhe ato lokale. BDI në këto zgjedhje është përcaktuar për konceptin pro NATO-s, pro Bashkimit Evropian, pro presidentit të përbashkët konsensual dhe jo për atë euroskeptik dhe skeptik ndaj NATO-s”, tha Ademi, duke shtuar se partia e tij është përcaktuar për instalimin e konceptit të konsensualitetit për çështjet kryesore në vend, siç është dhe çështja e zgjedhjes së presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Pas rrumbullakimit me sukses të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, pas arritjes së marrëveshjeve historike me fqinjët, pas ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë perspektivës në vendin tonë, Maqedonia e vitit 2019 është Maqedoni evropiane së cilës i duhet President të përkrahur më një konsensus mes komuniteteve në vend, potencoi Ademi duke shtuar se janë maksimalisht të përgatitur për Zgjedhjet Presidenciale të 21 Prillit.
“Vendit tonë, më shumë se kurrë, i duhet President i pranuar nga të gjithë. 2019-ta është vit i vendimeve të mëdha për Ballkanin Perëndimor, dhe se vetëm një President i tillë më së miri do të arrinte të mbajë peshën e vendimeve që na presin. Ne jemi të bindur se rruga e Maqedonisë së Veriut drejtë NATO-së dhe BE-së është e pakthyeshme por ajo mund të ngadalësohet në rast të moszgjidhjes së një kandidati i cili prioritet ka përshpejtimin e këtij procesi”, tha zëdhënësi i SHQZ-së së BDI-së, Ademi.
Në këtë garë elektorale, shtoi më tej, BDI do të zhvillojë fushatë moderne dhe interaktive, me takime të drejtpërdrejta me qytetarët, shtëpi më shtëpi, dhe kudo që është e nevojshme për të ritheksuar se rruga për BE dhe NATO është e vendosur dhe nuk mund të ndalet.
“Tashmë është definuar agjenda e SHQZ, si dhe agjenda e shtabeve komunale, të cilët do të kenë agjendë të posaçme paralele nga shtabi qendror dhe sigurisht fokusi ynë është që sa më shumë qytetar të mobilizohen dhe të shprehin vullnetin e tyre, vullnet i cili nuk mungon te qytetarët tanë që të shënojmë edhe një hap të rëndësishëm në drejtim të përshpejtimit të rrugëtimit tonë për tu bërë anëtare e familjes evropiane dhe euroatlantike. Interes i jashtëzakonshëm i BDI-së është që kjo fushatë dhe këto zgjedhje, të kalojnë në atmosferë të qetë, korrekte, demokratike dhe festive, ashtu siç i ka hije një vendi evropian dhe që qytetarët tanë të kenë shansin të zgjedhin në mënyrën më të lirë të mundshme Presidentin e përbashkët”, potencoi Arbër Ademi.
Aktivitetet e BDI-së gjatë ditëve në vijim informoi se do të përqendrohen në më shumë komuna, konkretisht do të hapen shtabet në Komunën e Sarajit, Butelit, Studeniçanit, si dhe në komuna të tjera, të takohen me qytetarë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikojnë në lidhje me kërkesat dhe nevojat e tyre.
“Koncepti, ideja, vizioni i BDI-së gjithmonë është udhëhequr dhe udhëhiqet nga interesi më i mirë i qytetarëve, andaj edhe në këtë sfidë elektorale jemi të bindur, më shumë se kurrë, se qytetarët do të japin mbështetje maksimale. Fushatën parazgjedhore e filluam dje në Dibër dhe do ta përfundojmë në Komunën e Dibrës”, përfundoi zëdhënësi i KQZ-së i BDI-së, Arbër Ademi.