Bashkimi Demokratik për Integrim ka përsëritur thirrje drejtuar Ivanovit që ti dorëzojë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, ndërsa ka kerkuar që Ivanovi dhe liderët tjerë politik të përmbahen nga deklaratat tendencioze dhe fyese. Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, ka thënë se Kryesia Qendrore e partisë ka sjell vendim për respektimin e vullnetit të votuesve të BDI-së, konkretisht partia e Ali Ahmetit do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme me LSDM-në. Ndër të tjera, Osmani është shprehur se Deklarata e partive shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe se e njëjta nuk është e përgatitur nga askush tjetër pos nga partitë shqiptare në Maqedoni. Osmani, në pyetjen nëse do të mblidhet shumica parlamentare, konkretisht 67 deputetët që tashmë ka grumbulluar LSDM, dhe do të thirrin seanca parlamentare, tha se kjo do të vijojë pas bisedimeve të partive që tashmë i kanë dhënë mbëshetje mandatit për Zoran Zaevin. Ai nuk e pohoi por as nuk e mohoi mundesinë që nesër ose ditëve në vijim, 67 deputetë të hyjnë në Parlament dhe të konstituojnë të njëjtin. Osmani foli edhe për zgjedhjet lokale, me çka shprehu qëndrimin kundër të BDI-së për shtyrje të zgjedhjeve, por tha se gjithçka do të dihet pasi të sillet një vendim për Qeverinë. “BDI është kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, por e dini se kryetari i Parlamentit është i vetmi që i shpall të njëjtat…”, tha Osmani.