Omer XHAFERI
Shkup, 23 shkurt – Pothuajse katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe formimit të administratës së re të Qytetit të Shkupit, anëtarët shqiptarë të Këshillave drejtues edhe atyre Mbikëqyrës ende nuk janë emëruar, shkruan gazeta KOHA. Ndonëse paralajmërimet e drejtuesve të Qytetit të Shkupit ishin se kjo çështje do të mbyllej me seancën e parë të janarit, kjo prapë se prapë nuk ndodhi. Përveç mos zgjedhjes së anëtarëve shqiptarë në këto Këshilla, drejtorët aktual të Ndërmarrjeve Publike që funksionojnë në kuadër të Qytetit të Shkupit nuk i kanë zgjedhur as zëvendësit e tyre. Lidhur me këtë situatë, gazeta KOHA kërkoi sqarim nga drejtuesit e Qytetit, duke kërkuar shpjegim se pse edhe pas 100 ditëve të formimit të administratës së re, Këshilli i Qytetit të Shkupit ende nuk e ka kompletuar përbërjen e Këshillave që funksionojnë brenda ndërmarrjeve publike.
“Organet drejtuese në ndërmarrjet publike të Qytetit ndryshohen në pajtim me dispozitat ligjore. Deri më sot janë ndryshuar të gjithë drejtorët dhe anëtarët e Këshillave Drejtues dhe ata Mbikëqyrës, të cilëve gjatë muajve të kaluar u kishte përfunduar mandati. Zgjedhja e këtyre organeve, qoftë për postet individuale apo ato të Këshillave në fjalë, bëhet në bazë të ligjeve ekzistuese. Kështu, për zgjedhjen e drejtorëve shpallet konkurs, ndërsa zgjedhjen e anëtarëve të këshillave drejtues e bën Këshilli i Qytetit të Shkupit”, thuhet në përgjigjen e Qytetit i Shkupit, por pa precizuar atë çfarë KOHA kërkoi.
Në fillim të këtij viti, brenda gjashtë Këshillave drejtues në ndërmarrjet publike, nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, u zgjodhën shumica e anëtarëve, me përjashtim të shqiptarëve. Burime brenda Qytetit të Shkupit theksojnë se zvarritja dhe mos emërimi i anëtarëve shqiptarë në Këshillat drejtues, nuk lidhet me ndonjë pengesë nga ana e këshilltarëve të LSDM-së.
Kalkulimet dhe matematikat brenda BDI-së mendohet të jetë shkaku kryesor se pse deri më sot, Këshilli i Qytetit të Shkupit, nuk i ka zgjedhur këto anëtarë. Diskutimet për diskriminim dhe mos respektim të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, javë më parë, në një prononcim për gazetën KOHA, i demantoi kryetari i Qyteti të Shkupit, Petre Shilegov, i cili nënvizoi se stereotipat për një etnikum të caktuar, nuk zënë vend të administratën e re të qytetit. Mirëpo, ai edhe pse potencoi se zgjedhja e anëtarëve të theksuar do të bëhet gjatë muajit të kaluar, kjo gjë nuk ndodhi.
Ndryshe, numri prej rreth 76 anëtarëve në Këshillat drejtues të ndërmarrjeve të potencuar, siç mëson gazeta KOHA, përfundimisht duhet të përmbyllet në ndonjërën prej seancave të radhës të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Listat me emrat e anëtarëve të shqiptarë thuhet se janë bërë gati dhe të njëjtat presin vetëm votimin në Kuvendin komunal të Qytetit të Shkupit. Nga ky numër i përgjithshëm, mbi 20 apo më tepër anëtarë, pritet të jenë shqiptarë. Ndryshe, Këshillat Drejtuese në këto ndërmarrje luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe funksionimin e tyre. Zakonisht, numri i anëtarëve të këtyre këshillave varion nga 9 deri në 12 anëtarë, respektivisht kjo përbërje kryesisht lidhet me madhësinë e vetë ndërmarrjes publike. Pas konstituimit të këshillave në fjalë, në një proces votimi brenda anëtarëve, duhet të zgjidhet kryetari i Këshillit drejtues, i cili ashtu si anëtarët tjerë – ka mandat katërvjeçar. (koha.mk)