Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur që marrin pjesë në zgjedhjet lokale më 15 tetor, sot në ditën e pestë të fushatës do të mbajnë tubime dhe takime me qytetarët në disa qytete dhe vendbanime në Maqedoni. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të ketë aktivitete parazgjedhore në Studeniçani. Shtabi Qendror Zgjedhor i BDI-së, do të mbajë konferencë për shtyp në selinë e partisë. Kandidati i Lëvizjes Besa Zekqirja Ibraimi kandidat për Komunën e Çairit do të mbajë pres konferencë për media.
Forumi Rinor i Lëvizjes BESA-Gostivar do të organizojë pres-konferencë për media për ecurinë e fushatës parazgjedhore. Koalicioni “Jetë në Maqedoni” i kryesuar nga LSDM-ja do të ketë takime me qytetarët dhe tubime në Makedonska Kamenica, Pehçevë, Berovë, Delçevë.
Karvani i koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, do të jetë në Zelenikovë, Sopishte dhe në komunat e Shkupit Butel dhe Karposh. Fushata për rrethin e parë zgjedhor filloi më 25 shtator, ndërsa do të përfundojë më 13 tetor në orën 24:00. Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Të drejtë vote do të kenë 1.814.644 qytetarë të regjistruar në Listën zgjedhore. Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për raundin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24.