BDI-ja e konsideron si të pamoralshme koalicionin në Diber

Pas vdekjes së Ruzhdi Latës, kryetar i komunës së Dibrës, në Këshillin komunal ka patur zhvillime politike që e kanë ndryshuar situatën në nivel lokal.

Ky Këshill ka zhvilluar seancën e radhës ku ka patur votim për kreun e këshillit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me bashkimin e votave te Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe të OBRM-PDUKM-së, për kryetar këshilli është votuar Eugjen Cami, nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar BDI-ja, nga radhët e së cilës ishte kryetari tashmë i ndjerë, Ruzhdi Lata.

Sipas kësaj partie, qytetarët duhet të jenë të durueshëm deri sa të ndodh votimi për kryetar komune, në zgjedhje të parakohshme.

Kështu, sipas BDI-së, do të vijë deri te rëzimi i koalicionit të partive të vogla shqiptare dhe OBRM-PDUKM-së. Madje, sipas kësaj partie, veprimi i partive shqiptare në Dibër është veprim jomoral, duke i akuzuar se në vdekjen e Ruzhdi Latës janë munduar ta gjejnë suksesin e tyre politik.