Shkup, 10 shtator – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një komunikatë për media thekson që sundimi i ligjit, barazia para ligjit si dhe zbatimi i ligjit nga të gjithë në mënyrë të përpiktë është parakusht për stabilitet shoqëror, integrim dhe zhvillim ekonomik, njofton Koha.mk
“Vlerësojmë se Këshilli gjyqësor, Këshilli i prokurorëve bashkë me gjykatës e prokuror si dhe të gjitha institucionet e tjera dhe bartësit e funksioneve publike, vendimet e tyre duhet t’i marrin vetëm e vetëm në përputhje me ligjin dhe duke u bazuar në fakte. Secili nga ne, politikan, gjykatës, prokuror, bart përgjegjësi individuale për veprimet ose mosveprimet dhe vendimet e veta dhe askush s’do të jetë mbi ligjin”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Siç thuhet në komunikatë, BDI distancohet nga çdo ndërhyrje politike në vendimet e institucioneve ligjzbatuese dhe konsideron që drejtësia joselektive dhe sundimi i drejtë i ligjit do të sigurohet nëpërmjet vetingut të mirëfilltë dhe kjo paraqet prioritetin tonë absolut. (koha.mk)