Shkup, 12 gusht – Bashkimi Demokratik për Integrim përmes kumtesës dërguar mediave faleminderon të gjitha partitë parlamentare shqiptare për komunikimin korrekt, përgjigjën afirmative dhe sygjerimet miqësore për këtë takim shumë të rëndësishëm dhe të mirëpritur nga të gjithë shqiptarët.
“Rrjedhimisht, BDI ka propozuar rendin e ditës për takimin e 13 gushtit i cili mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozime nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë takimit të përbashkët. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në dispozicion dhe i hapur edhe për takime vijuese gjatë javës së ardhshme ose edhe në cilën do datë të ardhshme të dakorduar bashkarisht në takimin e nesërm, e enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, në hotelin Park në Shkup. Ftojmë edhe mediat e nderuara gjithashtu të ndjekin takimin e partive parlamentare shqiptare nesër, me fillim në ora 12:00 në ‘Four’ – hotel Park, Shkup”, thuhet në kumetsën e BDI-së.
Letra e plotë e Ali Ahmetit:
Të nderuar drejtues të:
Koalicionit “Tash është koha” – Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa,
z. Ziadin Sela dhe z.Afrim Gashi
Lëvizjes Besa,
z. Bilall Kasami
Partisë Demokratike Shqiptare,
z. Menduh Thaçi
Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët të partive parlamentare shqiptare nga 7 janari i vitit 2017 dhe takimet vijuese të partive tona politike si dhe të zotimit tonë për dakordësi për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues, për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese:
1. Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar
2. Vlerësim i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 15 korrikut 2020
3. Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta
4. Të ndryshme
Agjenda mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozim të pjesëmarrësve të Tryezës së Përbashkët.
Propozojmë formatin vijues për pjesëmarrje: Kryetar plus dy bashkëpunëtorë.
Me respekt, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim