Bashkimit Demokratik për Integrim mbrëmë në selinë e degës së Gostivarit i prezantoi programin parazgjedhor dhe kandidatin për kryetar komune në zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar për më 15 tetor. Në konferencën për shtyp, kandidati për edhe një mandat Nevzat Bejta i theksoi projektet kryesore që duhet të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme, por, siç tha, kjo listë nuk është përfundimtare dhe do të plotësohet me propozime të reja nga qytetarët.
“Qyteti ynë dhe gjithë Republika e Maqedonisë, do të votojë më datë 15 tetor për zgjedhjet lokale. Me mbështetjen tuaj realizuam programin të cilën premtuam në vitin 2013 si dhe shumë projekte jashtë saj me të cilat përmirësuam Gostivarin e Djeshëm, Ndërtuam Gostivarin e Sotëm dhe kam nderin të kandidoj sërish që së bashku të ndërtojmë Gostivarin e Nesërm. Fushata ende nuk ka filluar, por deri sa përgatitemi për fushatën, ne përpiluam Propozim Programin për Gostivarin e Nesërm”, tha Bejta, madje duke përmendur disa nga projektet më të mëdha.
BDI për Komunën e Gostivarit gjatë katër viteve të ardhshme paralajmëron ndërtim të sheshit të qytetit, ndërtim të urës së katërt mbi lumin Vardar, caktimin e lokacioneve për hapjen e zonave të lira ekonomike – industriale jo ndotëse jashtë zonave të banuara, organizim të Transportit publik në territorin e Komunës së Gostivarit, vendosje të sistemit për efikasitet energjetik në kompleksin e shkollave të mesme (gjimnaz, ekonomi, mjekësi), ndërtim të kontejnerëve nëntokësorë, mirëmbajtje dhe shtim të sipërfaqeve të gjelbra, hapje të leximores së qytetit (analoge dhe digjitale), hapje të Galerisë së Arteve dhe Muzeut të qytetit, përfundim të tribunave të stadiumit të qytetit, hapje të qendrës për përkujdesje ndaj personave të moshuar dhe të vetmuar, rritje të mbështetjes financiare për shoqërinë civile. Në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, Bejta paralajmëroi angazhim të drejtpërdrejt në ndryshimin e ligjit për menaxhim me mbeturinat me çka përfundimisht do të zgjidhet çështja me deponinë Rusino, si dhe ndërtim të një kapaciteti për riciklim të mbeturinave. Shefi i Shtabit zgjedhor, Bashkim Hasani në fjalim përkujtoi punët e realizuara nga programi i vitit 2013, i cili, siç tha, ka qenë fitues dhe e ka fituar besimin e qytetarëve.
“Jemi këtu të prezantojmë propozim programin për periudhën 2017 – 2021 të kandidatit për kryetar Komune në Gostivar Nevzat Bejta. Realizuam mbi 600 projekte, nga të cilat: Rrugë, rrugica dhe trotuare 129, kanalizim 35 projekte, ujësjellës 42 projekte, arsim 244, Rini, Sport dhe Turizëm 43 projekte, mbrojtje sociale 15, Kulturë 21, Parqe dhe Gjelbërim 19, Ndriçim Publik 28, sinjalizim i komunikacionit 17 projekte si dhe shumë projekte të tjera. Sot me mburrje mund të themi që programin fituese të vitit 2013 e tejkaluam dhe kjo është një garanci më tepër se atë që e premtojmë e realizojmë. Në vazhdimësi dëgjuam zërin e qytetarëve, prandaj propozim programin të cilin e prezantojmë sot, e patëm më lehtë për ta përgatitur”, tha Hasani Në këtë takim morën pjesë edhe qindra anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe qytetarë të Gostivarit.