Anëtarët e Këshillit qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim mbrëmë në Shkup e miratuan platformën politike për referendumin me qëllim të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Nga BDI cekin se më 30 shtator ekzistojnë vetëm dy obsione, njëri për Maqedoni evropiane, përderisa tjetri është kundër.
“Pa hamendje dhe me përkushtim të madh, Bashkimi Demokratik për Integrim me të gjitha kapacitetet e veta, do të angazhohet për suksesin e referendumit dhe fitoren e forcave progresive në vend”, ceket në kumtesën e partisë.
Nga BDI e cekin domosdoshmërinë e reformave, sundimin e së drejtës dhe barazinë e ligjit, si dhe nevojën për transparencë dhe gjyqësi absolutisht të pavarur si parakusht për integrimin euroatlantik.
Nga atje theksojnë se partia do të veprojë në pajtim me shumicën e madhe të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në fushatën “PËR” dhe do të bashkëpunojë me partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, komunitetit akademik, krijuesit e mendimit publik, grupeve të interesit dhe mediumeve në fushatën për EVropë dhe NATO.
“I bëjmë thirrje opozitës shqiptare dhe maqedonase t’i bashkangjitet suksesit të përbashkët, sepse nga reshtimi i vendit tonë në Bruksel përfitim ka shteti dhe qytetarët, përfitim ka edhe opozita. Gjithashtu, u bëjnë thirrje atyre që ende hamenden dhe i kalkulojnë pozicionet e veta për nevoja të politikës ditore, të tejkalojnë vetveten dhe të qëndrojnë së bashku me forcat progresive në vend”, ceket në kumtesë.
BDI i bën thirrje edhe diasporës si bartëse e proceseve për ndryshime në vend të vijë në Maqedoni më 30 shtator dhe ta mbështesë referendumin për integrim të vendit në NATO dhe BE.