Shkup, 31 mars – Të nxitur nga shqiptimi i dënimit me burg prej 3 vjet e 6 muaj, nga ana e Gjykatës Penale ndaj ish-deputetit të BDI-së, Ejup Alimi dhe zyrtarit të kësaj partie Ismet Guri, kanë reaguar nga selia “blu” duke theksuar se ata angazhohen për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe shteti i së drejtës është prioritet absolut i të gjithë neve.
“Ne fuqishëm vazhdojmë të përkrahim drejtësinë e mirëfilltë dhe për të arritur tek një drejtësi evropiane, duhet të ç’rrënjosim drejtësinë selektive të motivuar politikisht dhe etnikisht me vendime të cilat bazohen në porosi e jo në ligj. Drejtësia joselektive arrihet nëpërmjet vetingut të prokurorëve, gjykatësve dhe politikanëve. Besueshmëria e rrënuar e institucioneve të drejtësisë në sytë e qytetarëve si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, dështimit të prokurorisë speciale, zhvatjes dhe lakmisë, Boki 13, Svarovski dhe Lui Viton motiveve duhet të marrë fund”, thuhet në reagimin e BDi-së, përcjell Koha.mk
Më tej në reagim thuhet se një vend anëtar i NATOsë dhe në proces negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kujdeset për integritetin e instuticioneve, parashikueshmërinë ligjore dhe drejtësinë e pakorruptuar. “BDI përkrah vetingun për të gjithë dhe nuk do të komenton rastin e sotëm deri në përfundim të procedurave në instancat më të larta”, theksohet në reagim. (koha.mk)