BDI ka paralajmëruar freskimin e radhëve partiake duke filluar nga nëndegët, degët dhe kryesia. Ndërkohë, njohësit e zhvillimeve politike thonë se nëse ndryshimi nuk vjen me kongresin e nëntorit, atëherë kjo parti do ta ketë vështirë tu përgjigjet sfidave të radhës politike që do t’i imponojë koha. Ali Ahmeti do të jetë kandidati i vetëm për kryetar
Destan JONUZI
Shkup, 14 shtator – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit në muajin nëntor do të mbajë Kongresin e katër me radhë partiak. Ndërkohë që në vazhdë është konsolidimi dhe procesi zgjedhor nëpër nëndegët dhe degët e saj. Deri më tani vetëm dega e Sarajit e ka mbyllur këtë proces, ku për kryetar dege është zgjedhur Isni Jakupi, ndërsa të dielën pritet që këtë proces ta finalizon edhe dega e Çairit. Në fazën finale të organizmit të janë edhe dega e Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Haraçinës, Studeniçanit etj, shkruan gazeta KOHA.
Burime partiake për KOHA thonë se mbështetje më të madhe të anëtarësisë së BDI-së në degën e Çairit, që konsiderohet si bastion i Ali Ahmetit, gëzon ish-kryetari i kësaj komune, Izet Mexhiti, i cili pritet që në kuvendin e së dielës ta marrë edhe drejtimin e kësaj dege për katër vitet e ardhshme.
Nga kjo parti po ashtu bëjnë të ditur se edhe në degën e Kërçovës pritet të ketë ndryshime dhe në krye të kësaj degë pritet të vjen një femër-intelektuale që gëzon mbështetjen edhe të bazës edhe të qendrës partiake. Në Gostivar anëtarësia partiake kërkon që të rikthehet ish-kryetari Nevzat Bejta. Edhe në degët Tetovë, Dibër, Strugë, Likovë, Haraçinë, Studeniçan nga selia blu paralajmërojnë ndryshime dhe freskime të reja. “Procesi zgjedhor brendapartiak është demokratik, ndërsa kryetarët e degëve nga ky proces, do të zgjidhet me vendim të anëtarëve të degës dhe pëlqimin e kryetarit Ali Ahmeti. Në Saraj është zgjedhur kryetar i ri i degës, edhe në Çair do të kemi kryetar të ri. Edhe në Strugë, Kërçovë dhe disa degë tjera mund të kemi kryetar të ri degësh. Sipas procesit zgjedhor nëpër degë që është në zhvillim e sipër edhe në Tetovë dhe Dibër, por edhe degë tjera ka entuziazëm te të rinjtë”, thonë burime partiake nga BDI.
Analistët politik mendojnë se kongresi i radhës i BDI-së duhet të jetë ndryshe nga një ngjarje e zakonshme. Sipas tyre, edhe vet zyrtarët e kësaj partie janë të vetëdijshëm se duhet të ndodhin ndryshime në këtë subjekt politik që të mund të përballohet me sfidat e kohës.
“Duhet një freskim i tërësishëm i strukturës partiake të BDI-së me njerëz të rinj të cilëve duhet t’iu jepet shansi dhe mundësia, por edhe përgjegjësia për të ec përpara. Nëse nuk ndodh kjo atëherë nuk besoj që kongresi i radhës do të bëjë hapin e madh që kjo parti të strukturoret mirë dhe ti përballojë sfidat e ardhshme. Besoj që për këtë proces që duhet të ndodh, janë të bindur edhe struktura e larta partiake sepse shenjat janë duke u dhënë në opinion”, deklaroi për KOHA, Blerim Hyseni, analist.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Nijazi Muhamedi konsideron se kongresi është çështje e brendshme e një partie për të cilën opinioni nuk duhet ta lodhë mendjen fare në pluralizëm politik. “Për Kongresin le të kujdesen ata që drejtojnë atë parti, e kjo vlen për çdo parti, kurse për vëmendje të opinionit vlen vetëm platforma zgjedhore, kurse legjitimimi ose delegjitimimi i tyre bëhet përmes votës së zgjedhësve. Kjo tendencë jo vetëm e kësaj partie, por edhe e partive të tjera, për ta angazhuar opinionin publik rreth çështjeve të tyre të brendshme, është një sindrom i rëndë i perceptimit të rolit të partisë nga sistemi një partiak. Kjo është një strategji banale për ta bërë të “rëndësishme” prezencën e saj në spektrin politik”, deklaroi për KOHA, Muhamedi.
Sipas kalendarit zgjedhor brendapartiak të BDI-së, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet nëpër nëndegët dhe degët partiake, në pjesën e dytë të muajit nëntor do të mbahet kongresi. Nga BDI thonë se nga kongresi do të dalin emra të rinj të strukturës partiake, por theksojnë se lideri Ali Ahmeti nuk ka rival brenda partiak, pasi që gëzon mbështetje të gjerë në popull por dhe në strukturat e partisë. Sipas tyre ai do të jetë kandidati i vetëm për kryetar, pasi që siç thonë, një liderë i cili i ka fituar disa procese zgjedhore radhazi nuk mund të ketë kundërshtarë për mejdan partiak. (koha.mk)