Bayern-i i Mynihut do të bëjë një merkato madhështore verën e ardhshme, sido që të përfundojë sezoni aktual. Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe presidenti Uli Hoeness të dielën: “Ta dinit çfarë lojtarësh kemi siguruar për verën e ardhshme…”. Në fakt, emri i parë dihet, është Benjamin Pavard, ylli i Stuttgart dhe i Francës kampione bote, lojtar i aftë të luajë në qendër të mbrojtjes dhe në të djathtë të saj. Megjithatë, është vetëm goditja e parë e zyrtarizuar, sepse Sport Bild zbulon se klubi bavarez ka siguruar edhe një tjetër kampion bote, Lucas Hernandez. Mbrojtësi 23-vjeçar i Atletico Madridit ishte pranë transferimit që në dimër, sepse Bayern kishte mundësinë ta “rrëmbente” duke paguar klauzolën e prishjes së kontratës, 80 milionë euro. Megjithatë, më pas Bayern u tërhoq, pas bisedimeve me Atleticon dhe vetë futbollistin, i cili nuk dëshironte të largohej pa mbyllur sezonin në Madrid. Me mbylljen e operacionit tashmë po merret ndërmjetësi italian Giovanni Branchini, ai që çoi edhe emra si Pep Guardiola e Luca Toni në Mynih. Lucas Hernandez do të transferohet në verë në Gjermani dhe Atletico nuk ka mundësi për ta penguar këtë transferim, sepse qendërmbrojtësi dëshiron të shkojë në Gjermani.
Me Pavard dhe Lucas Hernandez, Bayern bën revolucion në mbrojtje, aty ku Boateng dhe Rafinha është e sigurt që largohen dhe ku vendin e titullarit e ka të sigurt vetëm Alaba.
Emri tjetër që Bayern ka piketuar është fenomeni i ri Kai Havertz, i cili po mahnit te Leverkusen dhe që tani krahasohet me legjenda si Mesut Özil e Michael Ballack. Havertz ka kontratë deri në 2022 dhe Bayern nuk e kontakton dot, por sipas SportBild me 65 milionë euro ofertë Leverkusen do të bindej ta shiste.
Në fund, një fiksim i Bayern-it mbetet sulmuesi 18-vjeçar Callum Hudson-Odoi, për të cilin bavarezët këmbëngulën në janar dhe do të rikthehen në sulm në verë, me 30 milionë euro në tryezë, për anglezin e talentuar që ka kontratë deri në 2020.