Bayerni i Mynihut këtë verë e ka ulur ndjeshëm moshën mesatare të skuadrës, sepse janë larguar Robben, Ribery e Rafinha, ndërsa janë transferuar në Bavari Pavard, Lucas Hernandez e Arp, të gjithë 23 vjeç e poshtë.
Tashmë i vetmi lojtar mbi 30 vjeç është Manuel Neuer, i paprekshëm, ndërsa rinovimi i Bayernit nuk do të ndalet këtu, sepse edhe të tjerë veteranë pritet të largohen dhe Sport Bild del me një lajm të bujshëm, sepse raporton se Mats Hummels mund të transferohet te Borussia Dortmund.
Qendërmbrojtësi 30-vjeçar është rritur te Bayern, por në periudhën 2007-2016 u bë një superstar te Dortmund, ndaj largimi i tij për te Bayern në 2016, për 35 milionë euro, u konsiderua një tradhti nga tifozët e Dortmundit.
Gjithsesi, koha i shëron plagët dhe tani Dortmundi i ka komunikuar Bayernit se dëshiron ta blejë mbrojtësin. Me kontratën deri në 2021, Hummels nuk konsiderohet i paprekshëm te Bayern dhe kanë nisur bisedimet, për një shifër 15-20 milionë euro.
Sezoni i fundit ishte zhgënjyes për Hummel, i cili me Hernandez, Sule e Pavard në ekip mund ta shohë veten në stol, ndaj kthimi në Dortmund do ishte shans ideal për të rilindur. Pengesa kryesore është paga, sepse Hummels merr 12 milionë euro në Mynih, shifër që Dortmundi nuk ia jep dot.