Bayern München të martën do të përpiqet të bëjë një “remuntada” – siç i thonë spanjollët – ndaj Real Madrid-it në çerekfinalen e kthimit në Champions League, por trajneri Carlo Ancelotti do të duhet të luajë lojën “Puzzle” për të formuar 11-shin titullar të ekipit të tij. Kjo, sepse bavarezët aktualisht e kanë qendrën e mbrojtjes të cunguar. Prej kartonit të kuq që mori në përballjen e parë, Javier Martinez nuk mund të luajë në Madrid, ndërsa Mats Hummels vijon të jetë i dëmtuar (nuk luajti në Mynih).
Sikur të mos mjaftonin këta të dy, Ancelotti ka humbur edhe Jerome Boateng-un. Kampioni i botës vuan nga një problem muskular në kofshë dhe sot nuk është grumbulluar për ndeshjen me B. Leverkusen-in. Edhe pse trajneri italian është shprehur deri-diku optimist për aktivizimin e lojtarit të tij në “Santiago Bernabeu”, sajti “Sport1” shkruan se kjo do të jetë e vështirë që të ndodhë. Kështu, meqë Holger Badstuber është huazuar te Schalke 04, Bayern deri tani nuk ka asnjë qendërmbrojtës gati për Realin.
Bavarezët kanë pak alternativa. Një ide është që katërshja e mbrojtjes të jetë Lahm-Alaba-Kimmich-Bernat, por qendra do të kishte probleme me topat në ajër, meqë më i gjati do të ishte Alaba (1,80 m). Kjo mund të bëjë që Don Carlo të hedhë sytë nga skuadra e dytë, ku janë gati Nicolas Feldhahn (30 vjeç) dhe Marco Friedl (19 vjeç). Më shumë shanse ka ky i dyti, edhe pse rol natyral ka mbrojtjen e majtë, por ai do të tmerrohej nga Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema. Ancelotti, për nder, ta dimë hallin!