Mbrëmjen e së mërkurës Inter-i është mundur nga Bayern Munich në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Champions League.
Humbja 0-2 ka konfirmuar superioritetin e klubit gjerman; për skuadrën e Inzaghi-t bëhet fjalë për humbjen e dytë radhazi pas asaj në derbi kundër Milan-it.
Pikërisht në lidhje me sfidën e Champions-it ka folur ish-presidenti i zikaltërve Massimo Moratti, duke theksuar superioritetin e qartë të Bayern-it.
“Kam parë një Bayern Munich shumë të fortë dhe një Inter jo akoma në formën më të mirë fizike, por ndoshta është akoma shpejt në sezon”, ka thënë Moratti për ANSA-n.
“Është një moment që duhet kaluar, por duhet thënë se kemi humbur kundër skuadrave të rëndësishme, jo kundër të voglave”, ka shtuar Moratti.
“Mund të ndodhë t’i humbësh këto ndeshje kundër të mëdhave, por natyrisht ka punë për të bërë edhe pse në kampionat jemi akoma afër kreut dhe në Champions ka akoma kohë për të bërë mirë.
“Onana? Ka bërë një punë shumë të mirë me pritjet e tij, ka patur një lirshmëri dhe qetësi të madhe”, ka përfunduar Massimo Moratti.