Kur Bayern nuk fiton, në Gjermani thuajse plas lufta, por gjendja nuk duket edhe aq e mirë as kur skuadra ia del të fitojë. Sot bavarezët fituan 3-0 me Anderlecht-in në Champions League, por jo gjithçka shkoi mirë.
Mesfushori Franck Ribery, në pjesën e dytë, nuk reagoi fare mirë kur pa numrin e tij në tabelë për t’u zëvendësuar. Ai u acarua dhe e tregoi hapur këtë, duke harruar se po flasim për një lojtar profesionist dhe madje veteran të futbollit. Kjo, në fakt, nuk është hera e parë që ai sillet kështu. Temperamenti i francezit mund të etiketohet si “fishekzjarr”.
Në një moment, Ribery pati një kontakt me duar me gjyqtarin dhe mund të ndëshkohej me të kuqe. Çasti më kritik ishte ai i zëvendësimit, sepse 34-vjeçari nuk ia dha dorën trajnerit Carlo Ancelotti dhe hodhi fanellën përtokë gjithë inat.