Një vit më parë vetëm pak javë pasi River Plate fitonte Copa Libertadores, Exequiel Palacios ishte shumë pranë transferimit te Reali i Madridit, por për shkak të problemeve fizike të lojtarit ky transferim nuk u krye. Gjatë verës për të u interesuan edhe Interi e Milani, por sot 21-vjeçari argjentinas është zyrtarizuar si blerja më e re e Bayer Leverkusen.
Palacios do të bashkohet me Aspirinat në 1 janar të vitit të ardhshëm. Drejtuesit e Leverkusen gjithmonë kanë afruar futbollistë nga tregu amerikano-jugor dhe shumica e tyre kanë rezultuar blerje të goditura, siç ka ndodhur edhe Lucas Alario dhe Charles Aranguiz.
Kartoni i Exequiel Palacios i ka kushtuar klubit gjerman rreth 20 milionë euro, para që kanë shkuar në arkat e River Plate. 21-vjeçari ka firmosur deri në vitin 2025 me Bayer Leverkusen.