Bavarezët i bashkohen “ankandit” për ish-lojtarin e Real Madridit

Emri i Alvaro Morata po lakohet në disa skuadra në merkaton e dimrit. E ardhmja e sulmuesit spanjoll, në të vërtetë, është gjithnjë e më larg Chelsea, pas pjesës së parë zhgënjyese të sezonit dhe deklaratave të ashpra të Zolës, ndihmësit të Sarrit. Ish-lojtari i Real Madridit nuk gëzon më bësimin e stafit teknik të “Blues”, kjo është e qartë. Përveç Atletico Madrid dhe Barcelona, siç raportohet nga “Daily Mail”, ka mbërritur edhe interesimi i Bayern Munich për të.

Tabloidi anglez thekson qëllimin e klubit bavarez për t’i siguruar një përforcim Kovac në repartin ofensiv, duke pasur parasysh garën e titullit në Bundesliga dhe Ligën e Kampionëve. Lewandowski nuk mund të luajë në të gjitha ndeshjet dhe Morata mund të jetë shumë i dobishëm për trajnerin e Bayernit. Kështu, siç thekson “Daily Mail”, bavarezët kanë kërkuar huazimin e sulmuesit te Chelsea, gjë e cila vlen të paktën 3 milionë paund.

Për momentin, Bayern Munich është i dyti në renditjen e Bundesligës, me gjashtë pikë prapa Borussia Dortmundit. Për këtë arsye, por sidomos për synimet që ka në Ligën e Kampionëve, trajneri Kovac kërkon një përforcim në sulm. Ish-sulmuesi i Juventusit duket se është profili i duhur për të përforcuar repartin ofensiv të bavarezëve. Për momentin nuk mund të flitet me siguri, sepse “telenovela Morata” do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.