Pak ditë më parë, Fiorentina kaloi nga duart e familjes Dela Vale, në atë të biznesmenit italo-amerikan, Roko Komiso. Bilioneri amerikan ka nisur menjëherë nga puna për të ndërtuar klubin e tij, ndërsa ka kryer një emërim të rëndësishëm. Gabriel Batistitua ish-sulmuesi argjentinas, tashmë do të ketë një rol në klubin ku u aktivizua si futbollist për 9 vite.
Ish-futbollisti do të mbulojë rolin e menaxherit të skuadrës, teksa do të jetë dhe një imazh për klubin. Ndërkohë, Batistuta do të jetë i përfshirë edhe në deklaratat pas ndeshjeve apo në organizimet e ndryshme ku do të marrë pjesë për të përfaqësuar klubin e Fiorentinës. Batistuta, i cili konsiderohet një legjendë e klubit vjollcë, në këtë mënyrë do të marrë mbrapsht të gjithë përkushtimin e tij për Fiorentinën gjatë kohës si lojtar.
Një nga arsyet përse u përzgjodh Batistuta, është dhe fakti se presidenti Komiso është i lidhur me traditat dhe ish-sulmuesi i përfaqëson më së miri ato. Kështu, Komiso nuk ka humbur aspak kohë në punën e tij në krye të klubit, ndërsa objektivi i radhës do të jetë të mbajë të lidhur Kiezën, i cili ka kërkesa të jashtëzakonshme nga klubet europiane por edhe ato italiane.