Vjollca SADIKU
Dibër, 23 janar – Në Dibër tani më një kohë të gjatë ka një dukuri sociale, e cila nga dita në ditë merr përmasa të mëdha dhe lë pasoja të mëdha, shkruan gazeta KOHA. Bastoret të cilët janë të shumtë, nëse merret parasysh numri i banorëve, janë përplot me të rinj, edhe atë shumë herë edhe me fëmijë të mitur. Pjesa dërmuese e të rinjve të cilët janë vizitorë të rregullt të bastoreve u takon familjeve me probleme sociale. Sipas të dhënave jozyrtare, nëpër bastoret e Dibrës thonë se gjatë një jave inkasohen rreth 50 mijë euro. Janë këto të dhëna jozyrtare, por ato flasin për një bixhozllëk të pastër, nga i cili pësojnë të rinjtë dhe kuptohet familjet e tyre.
A.V ka 23 vjet dhe thotë se luan bast me pak para . “Luaj nga 50 denarë, me shpresë që të fitoj. Ka ndodhur që kam fituar disa herë, por pranoj se kam lanë më shumë para se sa kam fituar”, thotë ai. Po ashtu, po të njëjtën gjë e thonë edhe shumë të tjerë. “Luajmë me shpresë që të fitojmë, por nuk na shkon”, shton një 40 vjeçar, i cili shton se shpresa vdes e fundit.
E derisa një përqindje e madhe e atyre që janë vizitor të rregullt u takojnë familjeve me probleme sociale, ka edhe të tillë të cilët thonë se kanë një standard të mirë, i cili u mundëson që të vijnë në bastore dhe të bëjnë bast. Ata për shkaqe të njohura nuk duan që emri i tyre të bëhet publik, por thonë se ndjejnë një kënaqësi, por edhe varësi prandaj janë vizitor të rregullt nëpër bastorët të Dibrës. Kur jemi tek grupmoshat të cilët mund t’i gjesh nëpër bastore, ata janë nga 15 e deri më 70 vjet. Por pjesa më e madhe u takon moshave 20 deri më 40 vjeç. Punëtoret social thonë se dukuria e luajtjes bast apo vizita e salloneve te fatit është me pasoja teje negative për personat, por edhe për familjet. Sipas tyre, vërehet një rritje i numrit të atyre që vizitojnë bastoret, por edhe që vizitojnë sallonet e lojërave të fatit.
Bastoret e Dibrës kanë vizitor të shumtë edhe nga komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë- Rostushë. Mbi 20 për qind të atyre që bëjnë bast brenda një dite janë nga Zhupa dhe Reka, thonë njohësit të mirë të punës nëpër bastoret e Dibrës. Sa u takon atyre, pjesa më e madhe janë nga familjet që kanë kurbetqarë. “Ata janë të rregullt në bastoret të Dibrës”, thonë disa bashkëbisedues tanë, të cilët i takojmë në një kafeteri të njohur të qytetit e cila është në afërsi të një bastore. Pothuajse trefishohet numri i atyre që bëjnë bast në bastoret e Dibrës kur në vendlindje arrijnë kurbetçarët. Ka shumë kurbetçarë, por edhe mërgimtarë dibranë që vijnë nga Amerika në pushime në vendlindje, dhe lanë para të mëdha nëpër bastoret, por edhe në sallonet të tjera të lojërave të fatit. Janë persona, të cilët si duket edhe atje ku punojnë dhe jetojnë vizitojnë kazinotë dhe bastoret. Flitet se ka persona të cilët vijnë nga kurbeti dhe lanë sasi të majme të parave, pikërisht duka luajtur nëpër kazino apo bastoret.
Duhet theksuar edhe faktin se ka një numër i theksuar edhe i shtetasve nga Shqipëria të cilët vizitojnë bastoret. Ai numër tani më është në rritje dhe bëhet fjalë kryesisht për persona të rinj.
Dukuria në fjalë është shqetësuese dhe ka dibranë të cilët kërkojnë dislokimin e bastoreve dhe kazinove në periferi te Dibrës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.