Ndryshimi më i madh i paraparë në Ligjin për lojërat e fatit është tek distanca e objekteve të lojërave të fatit nga shkollat dhe fakultetet. Megjithatë, organizatat joqeveritare këmbëngulin që distanca të jetë 3 kilometër, ashtu siç patën premtuar partitë politike dhe jo 500 metra siç është propozuar më ndryshimet e reja ligjor. Ligji pritet të miratohet këtë muaj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 mars – Qeveria këtë muaj pritet të miratojë ndryshimet e Ligjit për lojërat e fatit, me të cilat objektet ku punojnë bastoret, kazinotë dhe klubet me automate – do të jenë 500 larg nga shkollat, fakultetet dhe objektet fetare. Në propozim-ligjin dhe plotësimet e ligjit, Ministria e Financave si propozues i ligjit, vlerëson se një propozim do të ketë efekt pozitiv ndaj popullatës së re, që në këtë mënyrë të mbrohet nga shprehitë që nuk janë adekuate për moshën e tyre.
Ndryshimet ligjore po miratohen për shkak se në Ligjin ekzistues, nuk është e përcaktuar largësia e lojërave të fatit nga shkollat fillore dhe të mesme, nga fakultetet dhe objektet tjera publike. Njëherësh, me zgjidhjen e tanishme ligjore, organizatorët e lojërave të fatit, me fitimin e një licence – kanë mundësi të hapin lokale të panumërta apo vende të pagesës dhe shpagesës. Njëherësh, Ministria e Financave vlerëson se me ligjin e vjetër, ndikim pozitiv ka patur vetëm për ata që hapin lojëra të fatit pasi me vetëm një licence, të njëjtit kanë patur mundësi të hapin numër të madh të hapësirave afariste me lojëra të fatit, ndërsa janë shënuar efekte negative në buxhetin e shtetit.
Korniza ligjore për përgatitjen e këtij propozim-ligji ka zgjatur nga 21 janari deri më 16 shkurt, dhe për të njëjtin nuk është paraparë debat publik. Me ngecjet e punës në Parlament, është zhagitur puna edhe në përgatitjen dhe miratimin e këtij ligji. Gjithashtu, në programin e punës së Qeverisë për vitin 2021, parashikohet që ky ligj të miratohet në muajin mars. Njëherësh, me këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit pritet të përforcohen edhe dispozitat ligjore në aspektin e lartësisë së kompensimeve dhe mënyra e përcaktimit dhe përllogaritjes së tyre. Në opinion megjithatë janë paraqitur kundërshtime për një propozim të tillë ku nga njëra anë, organizatat joqeveritare kërkojnë që largësia e bastoreve të jetë tre kilometra nga shkollat, ndërsa kompanitë e prekura thonë se një ndryshim i tillë do të nënkuptojë largimin të më shumë punëtorëve nga puna, uljen e punës legale të tyre me çka do të ulet edhe derdhja e miliona eurove në arkën e shtetit dhe lulëzimin e ekonomisë informale.
“Largësia prej 500 metrash e objekteve tona afariste nga shkollat dhe institucionet e arsimit të lartë nënkupton mbylljen e 98 për qind të vendeve për pagesë dhe shpagim apo mbylljen e tërësishme të kësaj dege. Me këtë rrezikohen edhe 8000 familje apo 8000 të punësuar në industrinë e lojërave të fatit, pasi të njëjtit do të humbin punën”, thonë nga Shoqata e Bastoreve Sportive. Nga atje thonë se obligimet e reja ndaj tyre, mund të sjellin dëme apo minus në buxhetin e shtetit prej 250 milionë euro, ndërsa shtojnë se po realizohen edhe konsultime për këtë çështje me ekspertë vendor dhe të huaj, për shkak se sipas tyre, një ligj i tillë, kompanive po ju merr të drejtat afariste që kanë me licencat në fuqi e që vlejnë për objektet ekzistuese. Si zgjidhje për tejkalimin e dallimeve për këtë çështje, përfaqësuesit e bastoreve propozojnë modele efikase për tatim ngjashëm me vendet evropiane, siguri më të madhe për lojtarët, edukim dhe tri herë dënime më të larta për organizatorët e lojërave të fatit në rast se shkelin ligjet.
Më 14 janar të këtij viti, këto ndryshime dhe plotësime të ligjit kaluan edhe filtrin e parë në Parlament në leximin e parë, apo me tetë vota pro dhe asnjë kundër. Komisioni parlamentar për financa dhe buxhet konstatoi se propozimi për Ligjin për ndryshimin e Lojërave të fatit është i pranueshëm dhe duhet të shkojë në lexim të mëtejshëm. Komisioni njëherësh theksoi se është fakt i pamohueshëm se lojërat e fatit kanë tendencë të krijojnë pasoja negative ndaj individit dhe familjes, ndërsa u nënvizua fakti se duhet të merret ndërmerren masa radikale për pengimin e këtij fenomeni shoqëror, edhe pse i njëjti do të vazhdojë të ekzistojë më tej. Deputetët vlerësuan se parandalimi më i fuqishëm ndaj keqpërdorimeve potenciale sociologjike të lojërave të fatit, vjen përmes procesit të edukimit të popullatës për fenomenet negative që dalin prej saj. Kjo dukuri shoqërore nuk mund të ndalet, por vetëm të rregullohet më mirë, me qëllim të ulen pasojat negative, vlerësuan të zgjedhurit e popullit. Anëtarët e këtij Komisioni gjithashtu u pajtuan se kjo çështje duhet diskutuar më tej, si dhe theksuan nevojën për kryerjen e analizave për të ardhurat që derdhen në arkën e shtetit.
Në fund, por jo më pak e rëndësishme, Komisioni parlamentar i financave konstatoi se Ligji për lojërat e fatit mund të përmirësohet, po jo me zgjidhjet e organizatave të caktuara qytetare që mund të jenë kundër-produktive dhe të njëjtat të sjellin deri tek paraqitja e ekonomisë gri në këtë fushë, e që mund të sjellë pasoja edhe më të mëdha negative. Megjithatë, nga Lëvizja Antibixhoz dje paralajmërojnë protesta para Qeverisë, për shkak të Ligjit për lojërat e fatit. Kjo Lëvizje kërkon nga partitë politike që ta mbajnë fjalën e dhënë dhe t’i largojnë kazinotë e bastoret tre kilometra nga objektet e interesit publik, dhe jo vetëm 500 metra siç parashihet në Ligjin që duhet të miratohet këtë muaj. (koha.mk)