Nga Shoqata e Bastoreve Sportive thonë se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, shumica e bastoreve do të mbyllen dhe sbhumë punëtorë do mbeten rrugëve. Nga ana tjetër, studimet tregojmë se kemi kumarxhi edhe 14 vjeçar. Ligji i ri më së voni pritet të miratohet në shtator
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 qershor – Me propozim-ligjin për lojërat e fatit pritet largimi në së paku 500 metra i bastoreve të ndryshme nga shkollat, fakultetetet, universitetet, çerdhet, biblioteka… Nga Shoqata e bastoreve sportive thonë se pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, mund të pritet mbyllje e shumicës së objekteve të lojërave të fatit si dhe largimi nga puna i mijëra të punësuarve, shkruan gazeta KOHA. “Edhe pse legjislacioni nuk parashikon mbylljen, mirëpo defakto do të ndodh fshirja e një dege të tërë ekonomike, ndërsa pa punë do të mbesin 7700 të punësuar”, thotë kryetari i kësaj shoqate Vasko Ilievski. Sipas tij, një propozim i tillë i Ligjit do të stimulojë lojërat jolegale të fatit, ndërsa kjo industri do të kalojë nga e rregulluar në jo të rregulluar që do të hap rrugën edhe për “tregun e zi”, ndërsa edhe rreth 600 lokacione që ofrohen me qira do të duhen të kërkojnë qiraxhinj të ri. Nga atje shtojnë se, industria e lojërave të fatit kontribuon në arkën e shtetit me afër 235 milionë euro, ku 135 milionë euro janë të ardhura direkte dhe 118 milionë euro janë nga TVSH, kontributet, pagat…
Lidhur me largësinë e propozuar prej 500 metrash, Zoran Puhaç, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës evropiane të lojërave të fatit, thotë se në një vend të vogël si Maqedonia e Veriut, një distancë e tillë nga institucionet ku kryhet procesi arsimor, nënkupton mbylljen e tyre dhe i hap rrugën luajtjes jolegale të lojërave të fatit dhe problemeve të tjera.
“Nëse krijohet tregu i zi, shteti do të humb me miliona euro që derdhen në arkën e tij nga të gjithë kompensimet që i paguan industria e lojërave të fatit.Kjo nënkupton edhe shkurtim të mjeteve për organizatat e ndryshme si Agjencia e Rinisë dhe Sporteve dhe organizatat e tjera sociale”, shton më tej Puhaç. Nga ana tjetër, në vitin e kaluar – në Tetovë janë mbajtur disa herë protesta nga ana e lëvizjes Anti-Bixhoz që kanë kundërshtuar hapjen e një objekti në Reçicë të Vogël. Nga kjo Lëvizje thonë se qëllimi final i tyre është që kazinotë dhe bastoret ti kemi jashtë qytetit, jashtë institucioneve edukative, arsimore dhe fetare, për shkak se sipas tyre, ato nuk e kanë vendin nuk kanë brenda qytetit. Bile, sipas një hulumtimi në motorin e kërkimit Gugël, qytetarët e Maqedonisë së Veriut renditen ndër të parët në botë lidhur me vënien bast në lojërat sportive. Njëhërësh edhe analiza e revistës së njohur amerikane financiare-ekonomike Forbs, tregon se 40 për qind e qytetarëve në shtet vitin e kaluar kanë luajtur në bastoret sportive.
Nga ana tjetër, një nga qëllimet kryesore të ndryshimeve ligjore është që të rinjtë të mbrohen nga një e keqe e tillë shoqërore. “Bastoret janë më shumë të përhapura në vendet ku njerëzit nuk kanë një punë të rregullt, kanë shkallë të lartë të papunësisë, dhe njerëzit shpresojnë se përmes lojërave të fatit, do të vijnë deri tek një lloj fitimi. Kjo vjen në shprehje në veçanti në këto shoqëri apo shtete, ku pjesa më e madhe e popullatës shpesh nuk ka një shpresë se realisht do të jetojë atë jetesë në kuptimin e punës dhe të ardhurave të rregullta mujore”, thotë profesori univeristetar i sociologjisë Ilija Acevski. Në ndërkohë, edhe studimi i organizatës ESPAD, që merret me hulumtimin e devijimeve në sjellje tek fëmijët shkollor, tregon se edhe pse Maqedonia me 14 për qind të popullatës rinore që luan kumar bën pjesë në mesataren evropiane, megjithatë si shtet me këtë përqindje bëjmë pjesë ndër 11 shtetet e para për kumarin rinor, nga 33 shtete sa renditen në hulumtim. Mbi 14 për qind apo një e shtata e nxënësve të moshës 16 vjeçare në Maqedoni luajnë kumar për të holla. Ato më së shumti luajnë në bastoret sportive, letra si brixh apo poker, dhe kanë provuar fatin për të fituar më shumë në aparatet elektronike në kazino.
Sipas hulumtimit të fundit të ESPAD, projektit evropian që analizon dukuritë negative në shkollat e mesme në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe shteteve të tjera që pretendojnë në anëtarësimin në BE, Maqedonia së bashku me ish shtetet e Jugosllavisë, Finlandën dhe Greqinë ka më shumë kumarxhinj ndër të rinjtë në Evropë. Hulumtimi në Maqedoni është realizuar në periudhën mars-qershor të vitit 2015, në 82 shkolla të mesme me ç’rast janë anketuar 4739 nxënës, ku 2430 prej tyre kanë qenë në moshën 15 dhe 16 vjeçare.
Psikologët dhe sociologët thonë se të rinjtë, edhe atë para së gjithash popullata adoleshente është më e prekshme për shkak se akoma është e ndërtuar si personalitet i rritur dhe i pjekur që mund të sjellë vendime mirë të menduara dhe të përgjegjshme. Nga ana tjetër, ato më nuk konsiderohen fëmijë, andaj edhe sillen si të rritur. Ekspertët vlerësojnë se nga të rinjtë shumë pritet në rrugëtimin e tyre jetësor plot me sfida.
Ndryshe, propozim-ligji për lojërat e fatit është përgatitur nga BDI, ndërsa disa muaj me radhë u bllokua nga LSDM. Kryeministri Zoran Zaev në disa raste kishte përsëritur se me një ligj rigoroz, do të mbeten pa punë më shumë se 7000 punëtorë në Maqedoni. Megjithatë, duket se propozim-ligji mbështetet nga të gjitha partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë dhe i njëjti pritet që më se voni në shtator, të miratohet në Parlament. (koha.mk)