Podgoricë, 28 janar – Gjashtë shtëpitë kryesore mediatike të Evropës Juglindore kanë themeluar asociacionin rajonal qëllimet e të cilit do të jenë bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë, trajnimi i përbashkët i të punësuarve, shkëmbimi i përmbajtjeve,qasja e koordinuar ndaj organeve dhe organizatave shtetërore dhe ndërkombëtare për shkak të avancimit të cilësisë së gazetarisë dhe përmirësimit të kushteve dhe gjendjes së mediave në treg, dhe kjo u vendos nga ana e përfaqësuesve të këtyre mediave në mbledhjen e mbajtur para disa ditëve në Podgoricë.
Emri i shoqatës së ardhshme është Media Asosiation of South East Europe (MASEE) ose Medijska Asocijacija Jugoistočne Evrope (MAJE) ose Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore (AMEJ). Themeluesit e Asociacionit janë Oslobođenje (Sarajevë), AMG (Beograd), Koha Ditore (Prishtinë), Slloboden Peçat (Shkup), Koha (Shkup) dhe Vijesti (Podgoricë). Asociacioni do të regjistrohet si shoqatë joqeveritare me seli në Podgoricë. Si Kryetari i parë i Kuvendit të Asociacionit u zgjodh Zheljko Ivanoviç nga Vjesti. Synimi kryesor i Asociacionit do të jetë që të punohet në implementimin e standardeve evropiane që kërkohen nga të gjitha vendet e rajonit në fazën e bisedimeve për anëtarësim me BE-në në pikëpamjen e mbrojtjes së gazetarëve, së drejtës së lirisë së shprehjes, kushteve të drejta në treg, punës transparente dhe të pavarur të agjencive rregullarore, qasjes së përbashkët ndaj reklamuesve të mëdha ndërkombëtar, bashkëpunimit me organizatat profesionale në Evropë, solidaritetit mes mediave të rajonit, si shkëmbimi i njohurive dhe përvojave mes anëtarëve të Asociacionit. Në këtë drejtim, në një të ardhme të afërm është planifikuar organizimi i një trajnimi të përbashkët për anëtarët e Asociacionit në segmentet e caktuara të biznesit (shitjes, marketingut, video produksionit, e-paper, etj..), dhe organizimi i një konference të madhe vjetore tematike në një prej qendrave rajonale, në të cilën do të ftohen të gjitha mediat relevante të rajonit, BE, ekspertët e kësaj fushe, liderë politik, përfaqësues të shoqatave profesionale nga rajoni dhe BE-ja.
Një prej detyrave prioritare është edhe lidhja e MASEE/MAJE/AMEJ me botuesit e asociacioneve evropiane dhe botërore (ENPA dhe WAN). Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Podgoricë ka mbështetur këtë ide duke njohur rëndësinë e saj për bashkësinë e mediave të rajonit të Evropës Juglindore, ndërsa së shpejti në të gjitha mediat themeluese të Asociacionit, OSBE do të shpallë edhe konkurs shpërblyes, në të cilin studentët e dizajnit do të ftohen të parashtrojnë zgjidhje për logon e Asociacionit. Në takimin themelues janë ftuar edhe mediat tjera të rajonit, të cilat mendojnë se bashkëpunimi i ndërsjellë në të gjitha këto çështje është i mirëseardhur dhe i nevojshëm, t’i bashkohen Asociacionit dhe të punojnë në promovimin e parimeve dhe realizimin e qëllimeve të përcaktuara në dokumentin themelues të Asociacionit. Puna e Asociacionit do të financohet nga tarifa e anëtarësimit. (koha.mk)