Të jetosh në epokën e integrimeve dhe të hedhësh në ajër balona fëmijësh për bashkim kombëtar, flet për foshnjërinë e atyre që aktualisht drejtojnë fatet e kombit. Nesër mund të jetë vonë, por sot është koha të thuhet se shqiptarët nuk kanë nevojë të trajtohen si parashkollorë me pjekuri të pamjaftueshme në temat kombëtariste
Nga Emin AZEMI
Shqiptarët nuk mund të bashkohen si komb nëse për këtë nuk vendosin politikanët. Rrugë tjetër e bashkimit kombëtar nuk ka mbet. As në kulturë, as në ekonomi, as në sport, shqiptarët nuk mund të bashkohen.
Euforia bashkimit kombëtar është një pluhur që shpërndahet në hapësirë si polen, kurse fjalët e politikanëve janë plot lagështirë sepse ato ngjiten në mbamendjen e popullit. Fjalët-polen të politikanëve po tregohen me efekte pjellorie në kopshtet e kotësirave të tyre, sepse deri më tani ka pasur më shumë retorikë, e më pak vepra konkrete.
Kohët e fundit taksa e vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për “Rrugën e Kombit”, ka shkaktuar debat të madh, ndërkohë që si në Shqipëri edhe në Kosovë kjo tarifë rrugore është kërkuar të hiqet. Deri më tani ajo ende vazhdon të qëndrojë aty, kurse e qytetarët e Kosovë dhe të viseve tjera që kalojnë nëpër këtë rrugë duhet të paguajnë tarifën prej 660 lekë (5 euro).
Ndërkaq, njerëzit përgjegjës në Prishtinë që merren me bashkëpunimin ekonomik, thonë se nuk ka vullnet për t’i rritur shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri pavarësisht kapaciteteve. Madje shuma e shkëmbimeve tregtare sipas tyre, është sikur të ishin e dy kompanive, e jo e dy shteteve. Në vend që ne të diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri, po diskutojmë për barriera, vlerësojnë ata.
Në anën tjetër, autoritetet shqiptare të ekonomisë dhe financave vlerësojnë se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë shënuar rritje në periudhën e parë të vitit 2019 dhe se pritshmëritë e përbashkëta janë që rritja e shkëmbimeve tregtare të arrijë potencialin maksimal dhe të ruajë në periudhë afatgjatë nivelet e kërkuara.
Megjithatë, përtej zhargonit patriotik,bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është mjaft i dobët, me shumë kosto dhe konflikte. Tregtia me Shqipërinë nuk është aspak e lehtë, vlerësojnë drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Përveç tarifave doganore, tregtia me Shqipërinë ka kosto për shkak të tarifave në ‘Rrugën e Kombit’ dhe një tarifë skanimi, të cilat nuk aplikohen nga vendet e tjera me të cilat Kosova ka bashkëpunim tregtar.
Se situata nuk është aspak e favorshme, ditë më parë ka folur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili është kërcënuar se nëse nuk hiqen këto barriera, Kosova do të aplikojë tarifa ndaj Shqipërisë ngjashëm si me Serbinë.
Bashkimi kombëtar për të cilin me aq komoditet flasin politikanët, nesër edhe mund të ndodhë, por sigurisht jo me stilin dhe frymën që ata promovojnë. Metodologjia e bashkimit kombëtar nuk është një parullë që mbyll vrima sa herë që politikanët zihen ngushtë me mospërmbushjen e programeve të tyre qeverisëse.
Të jetosh në epokën e integrimeve dhe të hedhësh në ajër balona fëmijësh për bashkim kombëtar, flet për foshnjërinë e atyre që aktualisht drejtojnë fatet e kombit. Nesër mund të jetë vonë, por sot është koha të thuhet se shqiptarët nuk kanë nevojë të trajtohen si parashkollorë me pjekuri të pamjaftueshme në temat kombëtariste. (koha.mk)