Prapa stacionit në brigjet e Lumit Thames, një shenjë rruge – Hanseatic Walk – është udhërrëfyesi i parë për tregtarët e kamur që dikur e dominonin rrethinën. Dhe në faqen e përparme të murit me tulla të urës së hekurudhës në po këtë rrugë më 2005 është vendosur një pllakat, për nder të gjashtëqindvjetorit të vendosjes së rreth katërqind tregtarëve të parë hanseatikë në qytetin e Londrës, në mënyrë paqësore … “një enklavë vetëqeverisëse gjermane në këtë zonë”.
Kjo ishte në fakt baza londineze e Lidhjes Hanseatike – një rrjet i fuqishëm tregtar për qindra vjet me radhë, që shtrihej përgjatë krejt Lindjes së Anglisë e deri në zemër të Rusisë së atëhershme, transmeton Koha Ditore.
Ishte një prej aleancave më të suksesshme tregtare në histori – në kulmin e saj, Lidhja mund të llogariste në besnikërinë e rreth dyqind qyteteve anembanë Evropës Veriore.
Gjermanët e privilegjuar të Londrës
Londra asnjëherë nuk ka qenë zyrtarisht një prej qyteteve hanseatike, por ishte lidhje kritike në këtë zinxhirë – e njohur si kontor, apo postë tregtare. Komuniteti i tregtarëve gjermanë të cilët jetonin në brigjet e Thames ishte i liruar nga detyrimet doganore dhe nga disa prej taksave lokale.
“Në çfarëdo kohe, ata mbase kishin rreth pesëmbëdhjetë për qind të hisesë së tregut të importeve dhe eksporteve angleze”, thekson Jens Tholstrup, ekonomist me interesim të theksuar për periudhën hanseatike.
Reputacioni i tyre i bazuar në besueshmëri kishte mbërritur deri në atë shkallë saqë ata kishin sugjeruar që monedha britanike, sterlingu, ishte një formë e shkurtuar e “Easterling” – emri lokal për tregtarët hanseatike. Kjo teori është kontestuar në vitet e fundit, por Tholstrup thekson se tregtarët kishin fituar besimin e fqinjëve anglezë.
“Ishte shenjë e ndershmërisë së tyre, se njerëzit i besonin monedhës së tyre. Andaj kur tregtarët këtu në Angli donin të paguanin me funte easterling, kishte njëfarë sensi se ishte diçka në të cilën mund të bazoheshe”.
Baza e Lidhjes në Londër ishte njohur si Steelyard – mbase për shkak të vulave metalike që ishin përdorur për të certifikuar prejardhjen e llojeve të ndryshme të pëlhurave që silleshin për eksport.