Bruksel, 25 mars – Komisioni Evropian i bëri të ditura sot në mëngjes përgatitjet për Bregzitin pa marrëveshje dhe i ftoi qytetarët dhe kompanitë që të informohen për të gjitha pasojat e mundshme nga ky skenar, njofton korrespondentja e MIA-s.,nga Brukseli.
“Duke e pasur parasysh atë se gjithnjë e më e sigurt është se Mbretëria e Bashkuar do ta braktisë BE-në pa marrëveshje më 12 prill, Komisioni Evropian sot i kompletoi përgatitjet e saja për Bregzit ‘pa marrëveshje’”, kumtoi pres-shërbimi i KE-së.
Shefat evropianë të shteteve dhe qeverive, javën e kaluar i dhanë dy afate kryeministres britanike Tereza Mej që të deklarohet për hapat e ardhshëm. Nëse ajo arrin të mbledhë shumicë në Parlament rreth marrëveshjes për tërheqje nga BE-ja deri më 29 mars, Bregziti shtyhet deri më 22 maj. Në të kundërtën, shtyhet vetëm deri më 12 prill. Pasi afati është shumë i shkurtër, ndërsa kriza politike në Britani nuk ndalon, bëhet gjithnjë e më e sigurt se të gjitha palët duhet të përgatiten për Bregzit pa marrëveshje, skenarin të cilin të paktën e dëshirojnë të dyja palët.
Konkretisht, Bregzit pa marrëveshje do të thotë se Mbretëria e Bashkuar pas 12 prillit bëhet vendi i tretë dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Londrës do të zhvillohen në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat e Organizatës tregtare botërore.
Marrëveshja për tërheqje, gjegjësisht marrëveshja për Bregzit, të cilën e hodhi poshtë Parlamenti britanik, ka pasur për qëllim pikërisht të vendos periudhë të tranzicionit, që braktisja e britanikëve të mos jetë brutale dhe të shmangen maksimalisht çdo lloj pasojash të padëshiruara të përgatitjes së pamjaftueshme.
Nga 12 prilli, nëse nuk ka marrëveshje, e drejta e BE-së më nuk do të zbatohet në Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të ketë periudhë të tranzicionit, që “qartë do të shkaktojë prishje të rëndësishme për qytetarët dhe kompanitë”, paralajmëron Komisioni Evropian.
“BE-ja do të duhet menjëherë t’i zbatojë rregullat e veta dhe doganat e kufijve me Mbretërinë e Bashkuar, që përfshin kontrolle të doganave, të standardeve sanitare dhe fitosanitare dhe verifikim të harmonizimit me normat e BE-së”, qëndron në kumtesë.
Përveç kësaj, britanikët më nuk do të mund të aspirojnë për grantet e BE-së, ndërsa qytetarët britanikë më nuk do të jenë qytetarë të BE-së.
“Ata do të jenë lëndë e kontrolle shtesë kur do t’i kalojnë kufijtë e BE-së”, paralajmëron KE-ja.
Vendet dhe institucionet e BE-së po përgatiten pothuajse dy vjet për këtë skenar, sigurojnë shërbimet e Komisionit Evropian. Deri sot, pushteti ekzekutiv ka parashtruar 19 propozim ligje, nga të cilët 17 tani më janë miratuar nga ana e bashkë-vendimmarrësit, Këshillin dhe Parlamentin ose janë në vijim.
Midis këtyre masave janë buxheti i BE-së në rast të Bregzitit pa marrëveshje, kompensime për peshkatarët të cilët më nuk do të kenë qasje deri në ujërat britanike, sigurinë e qarkullimit me aeroplanë, programet për këmbim studentor ose, politikat e vizave, informojnë nga KE-ja. Masat janë të përkohshme dhe do të miratohen në mënyrë unilaterale nga ana e BE-së.