Bashkimi Evropian, partner të cilit mund t’i besoni

0

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë partner, të cilit mund t’i besoni. Një mbrojtës i fuqishëm i multilateralizmit të bazuar në rregulla, duke punuar me partnerët tanë për ta bërë botën vend më të sigurt dhe më të drejtë

Nga Xhozep BORELL dhe Mishel BARNIE

Më 31 janar 2020, Mbretëria e Bashkuar doli prej Bashkimit Evropian. Humbëm një anëtar të familjes sonë. Ishte një moment i pikëllueshëm për neve, për qytetarët evropian – dhe, vërtetë për shumë qytetarë britanik. Sidoqoftë, ne gjithmonë e kemi respektuar vendimin sovran të 52% të elektoratit britanez dhe tani presim me padurim të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona.

T’i lëmë ndjenjat anash, 1 shkurti doli të jetë historik, por edhe gjithashtu jodramatik. Kjo, në masë të madhe falë Marrëveshjes për Tërheqje të cilën e negociuam me Mbretërinë e Bashkuar, që na mundësoi të sigurojmë ‘një Bregzit të rregullt’. Një marrëveshje – që së paku tani për tani -minimizon ndonjë çrregullim për qytetarët tanë, bizneset, administratën publike – si dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në kuadër të kësaj Marrëveshje, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar u pajtuan për një periudhë tranzicioni së paku deri në fund të vitit 2020, gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të merr pjesë në Unionin Doganor të BE-së dhe në Tregun e Përbashkët si dhe ta aplikojë legjislaturën e BE-së edhe pse nuk është më anëtare e BE-së. Gjatë kësaj periudhe, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të BE-së, ashtu si e shkruam qartë në Notën Verbale dërguar partnerëve tanë ndërkombëtar. Kështu, me fillimin e procesit të tranzicionit ka një nivel të kontinuitetit. Kjo nuk ishte e lehtë duke pasur parasysh madhësinë e kësaj detyre. Me daljen nga Unioni, Mbretëria e Bashkuar në mënyrë automatike, mekanike, juridike, do të dalë prej qindra marrëveshjeve ndërkombëtare që janë arritur nga, apo në emër të Unionit, në dobi të Shteteve të saj anëtare, për tema të ndryshme si tregtia, aviacioni, peshkataria dhe bashkëpunimi civil nuklear.

Tani, duhet të ndërtojmë partneritet të ri në mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo punë do të fillojë për disa javë sapo 27 anëtaret e BE-së ta kenë aprovuar mandatin negociues të propozuar nga ana e Komisionit Evropian, i cili i përcakton kushtet tona dhe ambiciet për arritjen e partneritetit më të afërt të mundshëm me një vend i cili do të mbetet aleati, partneri dhe miku ynë.

BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë të lidhura nëmës historisë, gjeografisë, kulturës, vlerave të përbashkëta, parimeve dhe besimit të fuqishëm në multilaterizmin të bazuar në rregulla. Partneriteti jonë i ardhshëm do t’i pasqyrojë këto lidhje dhe besimet tona të përbashkëta. Ne duam të shkojmë përtej tregtisë dhe të vazhdojmë të punojmë së bashku në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, fusha ku Mbretëria e Bashkuar ka përvojë dhe asete të cilat përdoren më së miri si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta. Në një botë të sfidave të mëdha dhe ndryshimit, të trazirës dhe tranzicionit, ne patjetër duhet të konsultohemi me njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë, në bazë bilaterale dhe në forume kyçe rajonale dhe globale si në Kombet e Bashkuara, Organizatën botërore të Tregtisë,NATO dhe G20.

Ndoshta tingëllon si klishe por është e vërtetë se sfidat e sotme globale – nga ndryshimi i klimës, deri në cyber-krimin, terrorizmin apo pabarazinë – të gjitha kërkojnë përgjigje kolektive. Sa më shumë që Mbretëria e Bashkuar të mund të punojë së bashku me BE-në dhe me partnerët tjerë në botë, mundësitë janë më të mëdha për t’i adresuar këto sfida në mënyrë efektive. Në zemër të projektit të BE-së është e ngërthyer ideja se jemi më të fortë së bashku; se shfrytëzimi i përbashkët i resurseve dhe iniciativave është mënyra më e mirë për arritje të qëllimeve tona të përbashkëta. Bregziti nuk e ndryshon këtë dhe ne do të vazhdojmë ta çojmë përpara këtë projekt si 27 vende anëtare.

Së bashku, 27 vendet anëtare do të vazhdojnë të formojnë Tregun e përbashkët prej 450 milionë qytetarëve dhe më shumë se 20 milionë bizneseve. Së bashku, ne mbesim blloku më i madh tregtar në botë. Së bashku, si 27 vende, ne akoma jemi donatori më i madh për zhvillim në botë.

Partnerët tanë mund të jenë të sigurt se ne do t’i mbetemi besnik agjendës sonë ambicioze dhe të hapur – pavarësisht a bëhet fjalë për tregtinë dhe investimet, për veprimet klimatike dhe digjitale, për konektivitetin, sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit, për të drejtat e njeriut dhe demokracinë ose për mbrojtjen dhe politikën e jashtme. Ne do vazhdojmë të jetojmë në përputhje me përcaktimet tona. Do vazhdojmë t’i përmbahemi marrëveshjeve që na lidhin me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe do vazhdojmë të zhvillojmë korniza për bashkëpunim multilateral në botë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë partner, të cilit mund t’i besoni. Një mbrojtës i fuqishëm i multilateralizmit të bazuar në rregulla, duke punuar me partnerët tanë për ta bërë botën vend më të sigurt dhe më të drejtë.

(Xhozep Borell është përfaqësuesi i Lartë për politikë të jashtme dhe siguri dhe zëvendëskryetar i Komisionit Evropian, ndërsa Mishel Barnie është kryetar i Ekipit Negociator të BE-së me Mbretërinë e Bashkuar. Gazeta KOHA mban të drejtën e botimit të këtij shkrimi)

Comments are closed.