Pavarësisht pandemisë së virusit korona, Bashkimi Evropian ka përshëndetur popullin e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e parakohshme të 15 korrikut.
Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi përmes një deklarate të përbashkët theksojnë se pavarësisht faktit se fushata dhe votimet u zhvilluan në klimën e duhur, stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikimet thelbësore të kornizës ligjore dhe dekretet e miratuara nga qeveria. Për këtë rekomandohet që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme. Pas zgjedhjeve të 15 korrikut, Bashkimi Evropian pret Parlament të fuqishëm dhe koalicion të qëndrueshëm që do ta realizojë qëllimin strategjik të vendit për integrim në BE dhe pritjet e qytetarëve.
“Presim të punojmë me një parlament të fuqishëm dhe me një koalicion qeveritar të qëndrueshëm që do të përmbushë objektivin strategjik të vendit, integrimin në BE dhe përmbushjen e pritshmërive të popullit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të dy diplomatëve.
BE premton se do të vijojë të mbështesë vendin në rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane, por pret që autoritetet të përshpejtojnë zbatimin e reformave të lidhura me integrimin, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Të dy diplomatët Varhelyi dhe Borrell shprehen optimistë se Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut do të mbahet sëshpejti.