Pustec, 21 dhjetor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot në komunën e Pustecit realizoi takim me nënkryetarin e komunës, Andon Jani, kryetaren e Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi dhe me këshilltarët e komunës së Pustecit. Xhaferi në takim, siç njofton raportuesi i MIA-s, shprehu nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit tejkufitar si resurs potencial për zhvillim infrastrukturor, ekonomik dhe turistik. “Bashkësitë etnike janë urë e ndërlidhjes ndërmjet dy shteteve dhe ato kontribuojnë në marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë”, tha Xhaferi. Gjatë takimit u përmendën përpjekjet pozitive të të dy shteteve në drejtim të krijimit të klimës pozitive për bashkëpunim të thelluar në fushat me interes kyç për të dy vendet. Shembull pozitiv është mbajtja e paradokohshme e seancës së përbashkët mes Qeverive të dy vendeve, si edhe intensifikimi i vizitave të ndërsjella në nivelin e lartë. Në fund të takimit, u potencua se komuna e Pustecit është pjesë e Parkut Nacional të Prespës, i cili bashkë me rajonin përreth është margaritar natyror dhe pasuri me potencial turistik madhështor, i cili duhet të mbrohet, të ruhet dhe promovohet nga të tre vendet fqinje, respektivisht Republika e Maqedonisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë.