Ende pa mbaruar procedurat përfundimtare, gjegjësisht ankimimet rreth vendimit të gjykatëses Donçevska, Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze ka shkuar një hap më tej duke e regjistruar si organ fetar, krahas Bashkësisë Fetare Islame, edhe Bashkësinë Islame Selefiste “Dar El Hadis”
Xhenur ISENI
Shkup, 23 shkurt – Përkundër deklaratave të autoriteteve zyrtare se regjistrimi i Bashkësisë Islame Selefiste do të sjellë përçarje të thella mes komunitetit mysliman për shkak të tendencës për paralelizëm me Bashkësinë Fetare Islame, megjithatë në praktikë ndodhë e kundërta. Madje, shteti po ndihmon këtë “përçarje”, apo “kërcënimin e sigurisë” siç u deklarua ditë më parë kryeministri Zoran Zaev. Ende pa mbaruar procedurat përfundimtare, gjegjësisht ankimimet rreth vendimit të gjykatëses Suzana Donçevska që “legalizoi” Bashkësinë Islame Selefiste “Dar El Hadis”, një hap më tej ka shkuar edhe Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze. Ky Komision shtetëror tashmë ka regjistruar si organ fetar, krahas Bashkësisë Fetare Islame, edhe Bashkësinë Islame Selefiste “Dar El Hadis”, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse nga ky Komision javën e kaluar thanë se si Komision shtetëror, i dëgjojnë qëndrimet dhe brengat e bashkësive fetare, por pa precizuar se çfarë qëndrimi kanë mbi vendimin e themelimit të një bashkësie islame paralele, gjatë vikendit në ueb faqen e tyre e kanë regjistruar Bashkësinë Islame Selefiste “Dar El Hadis” si bashkësi legjitime në vend.
Ndryshe, me vendim të Gjykatës Themelore Shkupi II, më 22 dhjetor të vitit 2020, është regjistruar Bashkësia Islame Selefiste “Dar El Hadis” në Regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze. Vendimi mban firmën e gjykatëses Suzana Donçevska, ndërkohë në dokumentacionin juridik, si themelues i kësaj bashkësie islame qëndron Xhemal Jakupi, ndërsa selia thuhet të jetë në Shkup. “Bashkësia Islame Selefiste ‘DAR EL HADIS’ me seli në Shkup, merr të drejtën e personit juridik me ditën e regjistrimit në regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze për ‘bashkësi fetare’, që udhëhiqet pranë Gjykatës Civile dhe mund të fillojë me punë nga 22.12.2020”, thuhet në dokumentin e Gjykatës, dhe e njëjta është e detyruar që në afat prej 15 ditëve nga dita e regjistrimit në regjistrin gjyqësor, të hapë llogari rrjedhëse.
Nga BFI reaguan, duke theksuar se sipas ligjit, nuk lejohet regjistrimi i dy institucioneve të njëjta fetare dhe shtuan se ky vendim gjyqësor dëmton unitetin e myslimanëve. Nga Bashkësia Fetare Islame kanë bërë të ditur se janë marrë edhe hapa juridikë pranë Gjykatës së Apelit për shfuqizimin e vendimit të gjykatëses Donçevska. Se do ta shqyrtojnë vendimin e gjykatëse që regjistroi këtë bashkësi fetare, është shprehur edhe zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa. Në një deklaratë për gazetën KOHA, Mustafa informoi se nëse vërehen parregullsi, do të ngritet procedurë kundër gjykatëse Donçevska. “Do të ndërmarrim iniciativë për shqyrtim të këtij rasti. Por, është mirë që palët e interesuara – në këtë rast BFI, apo dikush tjetër të ngritë kërkesë për thirrje në përgjegjësi të gjykatëses, që më pas ne të ngrisim procedurë kundër saj. Mirëpo, derisa nuk është vendimi i plotfuqishëm, pasi ka afat për ankesa, apo eventualisht nëse BFI ka ngritë ankesë, atëherë pritet vendimi i Gjykatës më të lartë”, tha Mustafa. (koha.mk)