Prishtinë, 7 janar – Sekretari Gjeneral i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterers, në raportet për Kosovën ka kërkuar që palët të shtojnë përpjekjet për të gjetur vendndodhjet dhe për të zbardhur fatin e mbi 1.600 të zhdukurve.
Familjarët gjithashtu thonë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion më shumë te autoritet e të dy vendeve për të intensifikuar punën në këtë çështje.
Familjarët e të pagjeturve kërkojnë ndryshimin e strategjisë së punës për personat e pagjetur. Ata po kërkojnë më shumë përkushtim nga autoritet në Kosovë e Serbi, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar që politika vendore e ndërkombëtare të mos e politizojë më tepër këtë çështje.
“Është e papranueshme që tërë këto vite nuk është zbardhur fati i të pagjeturve”, tha ai.
Bajram Qerkini së bashku me Milorad Trifunoviq në prill të vitit 2017 themeluan Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur. Qendra e tyre mbledh së bashku familjarët e të gjitha entiteteve që kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur.
Qerkini thotë se autoritet e Kosovës dhe Serbisë janë treguar tepër të ngathët në çështjen e gjetjes së mbi 1600 të zhdukurve.
Kreu i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenkë Gjetaj, gjithashtu tregon se rezultatet e këtij viti në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore, ishin të vogla.
Vetëm 21 mbetje mortore janë zhvarrosur dhe 28 raste është arritur të identifikohen.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë vitit 2018 pritet të zgjerohet harta e lokacioneve ku do të kërkohet për mbetje mortore. Gjithashtu është paralajmëruar edhe ndryshimi i Ligjit për Persona të Pagjetur.