Kryeministri i Francës, Jean Castex është vetë-karantinuar për 7 ditë pasi bashkëshortja e tij ka rezultuar pozitive me COVID-19. Lajmi është njoftuar mbrëmjen e sotme nga zyra e tij e shtypit. Castex ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID të kompanisë AstraZeneca në datën 19 mars dhe pas testit të shpejtë ka rezultuar negativ, megjithatë për shkak të kontaktit të afërt me bashkëshorten ka vendosur që të izolohet dhe të kryejë detyrat nga distanca.
Më herët gjatë ditës Castex kishte vizituar një treg në periferi të Parisit edhe një fushë sportive ku ka qenë në afërsi të shumë njerëzve, përfshirë dhe të Ministrit të Ekonomisë Bruno Le Mer.
Kjo është hera e tretë që kreu i qeverisë franceze detyrohet të hyjë në karantinë. Herën e parë ai është karantinuar në shtator 2020 pasi kishte takuar drejtorin e “Tour de France” Christian Pridom, i cili rezultoi pozitiv pak orë më pas, ndërkohë që në dhjetor u karantinua pasi kishte takuar presidentin Emmanuel Macron. Ai vetë nuk ka rezultuar asnjëherë pozitiv, ndonëse është testuar për shkak të detyrës pothuajse çdo ditë. Pritet që pas daljes nga karantina ai të marrë dhe dozën e dytë të vaksinës anti-COVID.