Medalistët olimpikë Ashton Eaton dhe Brianne Theisen-Eaton kanë vendosur të pensionohen nga sporti aktiv, të dy në moshën 28-vjeçare, përcjell Koha Ditore shkrimin e BBC. Amerikani Eaton, që është rekordmen i botës në dhjetëgarësh dhe ka mbrojtur me sukses titullin olimpik në “Rio 2016”, ka thënë se dëshiron të provojë diçka të re. “Nuk ka diçka tjetër që dua të bëj në sport. Unë kam dhënë çdo gjë për dhjetëgarëshin. Kam arritur çdo gjë që kam dashur. Falënderoj që ky sport është përkujdesur që të kem kohën më të mirë të jetës. Por, tash po pensionohem”, ka thënë atleti. “Është koha ime të largohem nga atletika dhe të provoj diçka të re”. Kanadezja Brianne Theisen-Eaton që fitoi të bronztën në “Rio 2016” dhe ishte nënkampione e botës në vitin 2015 në shtatëgarësh, ka thënë se nuk ka më pasionin që kishte për sportin.