Rrjeti evropian i sipërmarrjes ka rritur konkurrencën e firmave të vogla dhe të mesme në tërë Evropën, duke mundësuar që ato të ulin harxhimet dhe të hapin vende të reja të punës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 shtator – Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në tregun evropian është vendimtar për nxitjen e konkurrencës së firmave të vogla dhe të mesme, për rritjen e kulturës së sipërmarrjes dhe rritjen e eksportit. Për rrjedhojë tërë rajoni duhet të zhvillohet si një destinacion unik investues me përparësi të ndryshme garuese që kanë ekonomitë e rajonit, që nënkupton edhe zhvillimin e infrastrukturës rajonale që do ta afrojë Ballkanin me Evropën, shkruan gazeta KOHA.
Ky është mesazhi i konferencës rajonale të odave ekonomike, por edhe partnerëve të tjerë të Rrjetit evropian të mundësive afariste EEN, që u mbajt javën e kaluar në Podgoricë. Rrjeti evropian i sipërmarrjes apo EEN, në dhjetë vitet e kaluara ka ndihmuar kompanitë nga rajoni dhe Maqedonia që përmes këshillave dhe kontakteve të rrisin konkurrencën dhe qëndrueshmërinë tyre në treg.
“Bashkëpunimi rajonal midis bizneseve në rajon është vendimtar për zhvillimin dhe rritjen e kompanive të vogla dhe të mesme të Ballkanit perëndimor. Në këtë drejtim, vetëm në vitin e kaluar, kompanitë vendore kanë realizuar 36 partneritete të reja që kanë dalë si rezultat i interesimit të 137 kompanive të huaja për bashkëpunim me kompanitë vendore. Gjithashtu 498 kompani kanë marrë pjesë në ngjarje lokale dhe rajonale të organizuara nga EEN, ndërsa 119 kompani kanë fituar përkrahje individuale nga ekspertët e rrjetit”, thotë Vllatko Stojanovski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Sipas Natalie Martinez Paramo nga Rrjeti evropian i sipërmarrjes i Komisionit Evropian, jo vetëm që ka rezultate, por edhe ka rritur konkurrencën e firmave të vogla dhe të mesme në tërë Evropën, duke mundësuar që ato të ulin harxhimet dhe të hapin vende të reja të punës.
“Evropa lindore, jo vetëm që përparon në këtë fushë në aspektin e shfrytëzimit të shërbimeve COSME si program i BE që ndihmon biznesin e vogël dhe të mesëm, por edhe vendosjes së Horizontit 2020 ku si shfrytëzues janë firmat e vogla dhe të mesme. Njëherazi, Ballkani Perëndimor tani ka gjasa të mira që të ecë para në rrugën evropiane. Më vjen mirë që EEN ka ndërmarrë një rol të rëndësishëm në përkrahjen e aktorëve ekonomik në këtë rrugë. Në emrin tonë, mos dyshoni se keni përkrahje të plotë të rrjetit EEN dhe EASME si agjenci që në emër të BE-së menaxhon me programet për bizneset”, theksoi Paramo në forumin në Podgoricë.
Sipas saj, sfidë në muajt e ardhshëm janë përgatitjet për kornizën shumëvjeçare financiare dhe ngritja e grupeve aksionale që do të përkrahin implementimin e vizionit të saj.
Ndryshe, EEN apo Enterprise Europe Network (Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve) është një instrument i rëndësishëm në strategjinë e BE-së, i cili sjell së bashku rreth 600 organizata mbështetëse të biznesit nga më shumë se 60 vende të botës, me qëllim përkrahjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mbi mundësitë e të bërit biznes në Tregun e Përbashkët të BE-së. Gjithashtu krijon mundësi për partneritet me biznese të vendeve të tjera të BE-së, nëpërmjet organizimeve të misioneve të biznesit dhe përgatitjes së profileve të kompanive nga Maqedonia dhe rajoni që ofrojnë apo kërkojnë produkte, shërbime, teknologji apo zhvillim të inovacionit. (koha.mk)