Zejnulla VESELI
Shkup,6 mars – Bashkimi ekonomik midis tre vendet e rajonit, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë do të thyente çdo barrierë kufitare midis këtyre tre vendeve dhe do të ishte një proces shumë frytdhënës për shqiptarët që ekzistojnë në këto tre shtete. Kështu vlerëson Faton Bislimi, eksperte ekonomik nga Kosova, duke shtuar se përgjegjësia për formimin e një tregu të përbashkët, i bije bartësve kryesorë të politikës shqiptare. ”Disa herë janë ngritur iniciativa mbarë-shqiptare, por deri më sot pjesa dërmuese e këtyre iniciativave kanë mbetur vetëm kujtime të mira takimesh, dhe jo procese që sjellin fryte për shqiptarët që jetojnë në këto tre shtete”, thotë Bislimi.
Mirëpo, për çështjen konkrete të bashkimit ekonomik, eksperti Bislimi e konsideron si një fakt të padrejtë, por i vërtetë, se shqiptarët jetojnë nëpër shtete të ndryshme. “Prandaj, teoritë e tilla të “bashkimit të tregjeve shqiptare” janë më shumë retorikë sesa politika konkrete ekonomike të Tiranës zyrtare, sepse nuk është e qartë, e bile në kushte të sodit të klimës gjeopolitike, thuajse është e pamundur të mendohet regjionalizimi ekonomik, që realisht mandej do të mund të nënkuptonte bashkimin e tregjeve shqiptare nga të gjitha vendet në një hapësirë të lirë ekonomike. E kur të kihen parasysh edhe problemet madhore që shpeshherë kanë bizneset nga Kosova dhe Shqipëria në eksportimin e mallrave të tyre nga njëri vend në tjetrin, thuajse një ide e tillë mbetet shumë larg realitetit”, thotë Bislimi.
Më tej Bislimi thotë se me bashkimin ekonomik, padyshim se përfitimet do të ishin të mëdha. “Mirëpo, ideja e bashkimit të tregjeve shqiptare, siç e thash edhe më lartë, mbetet shumë larg reales. Një mundësi përmes së cilës një lloj ideje si kjo do të mund që të paktën të realizohej deri diku, është bashkëpunimi ndërkufitar, qoftë edhe në nivel lokal, kur dihet se shumë komuna me shumicë shqiptare qoftë në Maqedoni, Mal të Zi, apo Luginë të Preshevës, janë në kufirin me Shqipërinë apo Kosovën. Prandaj, shumë më mirë do të ishte që Qeveria shqiptare të punon me homologët e tij në rajon që të mundësonte bashkëpunim të pakufizuar në nivelin lokal ndërkufitar. Projekte të tilla do të gjenin edhe përkrahjen e BE-së, sepse bashkëpunimi ndërkufitar është gjithherë në krye të agjendës për bashkëpunim rajonal në aspektin e financimit të projekteve zhvillimore”, thotë Bislimi.
Ndërkaq sa i përket çështjes tjetër, se sa mund që edhe Maqedonia të jetë pjesë e këtij bashkimi ekonomik, eksperti Bislimi shprehet se situata politike në Maqedoni lë shumë hapësirë për të dëshiruar. “Edhe pse shqiptarët kësaj radhe duket se do të qëndrojnë besnikë ndaj platformës së tyre të përbashkët për qëllimet madhore kombëtare, qasja sllavo-maqedonase nuk duket se ka ndryshuar substancialisht, por vetëm sipërfaqësisht. Ata, ende shqiptarët i konsiderojnë si armiq të brendshëm. Ky është thelbi i problemit. Mandej, mos harroni se Maqedonia është pjesë e CEFTA-s ku është edhe Shqipëria, por edhe Kosova. Kjo marrëveshje e tregtisë së lire është një lloj para bashkimi ekonomik”, thotë Bislimi.
Prandaj, sipas tij, për të mos u cilësuar nacionalist apo antishqiptar, maqedonasit do të mund të thirreshin në kartën e CEFTA-s për t’i ikur çfarëdo opsioni tjetër të “bashkimit” ekonomik. ”Ndërkohë, arsyeja kryesore e ikjes së ideve të tilla është fakti se ata nuk na shohin si fqinjë apo bashkështetas, por si problem për shtetin e tyre. Derisa ky mentalitet të mbizotërojë te maqedonasit, marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën dhe me Maqedoninë do të jenë sipërfaqësore dhe të shtyra nga interesat e përbashkëta të integrimeve euroatlantike, por jo nga interesat kombëtare domosdoshmërish”, thotë Faton Bislimi, ekspert ekonomik nga Kosova.
Në anën tjetër ,akademiku Abdylmenaf Bexheti, thotë se iniciativa për bashkimin ekonomik është ide e vjetër dhe bëhet fjalë për një proces kompleks. “Iniciativa për Bashkimin Ekonomik nuk është aktvendim administrativ që të pritet realizimi i saj në mënyrë administrative. Ky është një proces kompleks. Shikoni historinë e BE-së që nga vitet e para, nga themelimi në vitin 1957 si bashkësi Evropiane e Thëngjillit e Çelikut, i janë dashur mbi tre dekada të arrijë në tregje të harmonizuara dhe afër pesë dekada për unitet monetar. Ne, një Abetare akoma nuk jemi në gjendje ta harmonizojmë! Të realizoni bashkimin ekonomik, së pari ju duhen disa vite, ndoshta dekadë, të filloni të harmonizoni sistemet ekonomike në të gjitha nënsistemet e tij nga ai tregtar, doganor, sektorial si bujqësia, industria, energjetika, turizmi, financiar, fiskal, monetar, e deri te zhvillimi regjional infrastrukturor, pra është një proces që kërkon shumë angazhim dhe konsensus strategjik, kërkon shumë resurse, veprime të koordinuara dhe konzistente, por që ia vlejnë të gjitha këto angazhime, sepse vetëm nga aspekti ekonomik dyfishimi i madhësisë së tregut dhe me një komplementaritet të lartë ka përfitime të mëdha ekonomike”, thotë Bexheti.
Se sa jemi larg kësaj iniciative, thotë akademiku Bexheti, mjafton t’i përmendim rastet e shumta të bllokadave të import eksporteve të ndryshme, për interesa konjukturale të eksportuesve të njërës apo anës tjetër, si rasti i bllokadës së çimentos kosovare në kufirin shqiptar apo bllokimi eksportit të frutave dhe perimeve nga Shqipëria nga autoriteteve doganore maqedonase. “Përfitimet janë të mëdha. Së pari, krijimi i tregut më të madh nënkupton ekonomi shkalle si për prodhuesit ashtu edhe për blerësit. Investitorët matjen e indikatorit të parë e bëjnë nga madhësia e tregut dhe fuqia blerëse. Së dyti, kushtet natyrore janë shumë komplementare. Ja si shembull bazik le të jete sektori energjetik. Përderisa Shqipëria e ka të bazuar dominante në bazë hidroenergjetike, Kosova e ka në termo-energji në vjeshtë dhe dimër, Shqipëria ka tepricë energjie, Kosova ka mungesë. Imagjinoni komplementaritetin dhe funksionin e prodhimit optimal vetëm në këtë nëndegë ekonomike. Në anën tjetër turizmi veror ne Shqipëri dhe ai malor dhe i banjave në Kosovë. Pra përfitimet janë të mëdha”, thotë Bexheti.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti shprehet se në disa aspekte edhe Maqedonia mund të jetë pjesë e kësaj iniciative, së pari në aspektin e iniciativave të biznesit privat dhe tregut, kurse në aspektin sistemor, procesi duhet të shkojë më gradualisht përmes përafrimit me sistemin ekonomik të BE-së.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.