Nga data 18 deri më 21 prill u mbajt Panairi ekonomik i Prishtinës, kurse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kishte porositur afaristët që të shkojnë në këtë Panair dhe sipas raportimeve të mediave serbe, Vuçiqi e kishte shprehur hapur kanë përkrahjen e tij “që të fitojmë me ekonomi dhe me ekonominë tone”. Në këtë panair morën pjesë mbi 70 kompani serbe, dhe vetëm një nga Shqipëria (!)
Nga Emin AZEMI
Bashkëpunimi në mes të shqiptarëve në rajon, bëhet vetëm sa për foto. Posa të përfundojnë samitet dhe mbledhjet e përbashkëta në mes të qeverive e delegacioneve, secili ia fut sipas avazit të vjetër. Tirana e Prishtina bëhen sikur asgjë s’ka ndodhur, sepse bllokadat dhe vështirësitë vazhdojnë të jenë pjesë e marrëdhënieve tregtare. Në këtë aspekt, më të dëmtuar dalin prodhuesit dhe kompanitë e Kosovës.
Bizneset nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë, dhe anasjelltas, janë në proporcion të zhdrejtë në dëm të bizneseve të Kosovës. Shqipëria ka një treg mjaft të etabluar të prodhimeve e shërbimeve në Kosovë, duke filluar nga çimentoja, bankat, sigurimet, pijet etj. Kurse veprimtaria dominuese e biznesit nga Kosova në Shqipëri është tregtia dhe turizmi. Mungesa e sigurisë së shërbimeve bazë është edhe arsyeja pse shumë prej kompanive kosovare hezitojnë që të shtrijnë aktivitetin e tyre afarist në tregun e Shqipërisë. Gjithashtu prodhuesit e Kosovës kanë ngritur shqetësimin se ditëve të fundit autoritet e Shqipërisë janë duke aplikuar barriera tarifore e jo-tarifore për prodhimet e Kosovës që eksportohen në Shqipëri. Sipas tyre barrierat më të më të theksuara janë në produktet bujqësore, farmaceutike dhe të birrës. Raporti i analizave të cilësisë lëshuar nga laboratorët relevante të Kosovës, nuk njihen në Shqipëri. Mediat kosovare kanë raportuar edhe për probleme të tjera që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet e Kosovës, siç janë: pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme të produkteve, që reflektohen në rritjen e kostos.
Ndonëse Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri të arsimi, megjithatë sipas të dhënave në dispozicion, në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milion euro, kurse Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milion euro. Nga kjo lehtë mund të shihet se produktet e Shqipërisë depërtojnë shumë më lehtë në tregun e Kosovës, se ato të Kosovës në Shqipëri, kurse produktet e Serbisë shumë më lehtë depërtojnë në Shqipërisë se ato të Kosovës.
Shumë njohës të marrëdhënieve ekonomike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës thonë se është bërë më shumë politikë se sa realisht janë krijuar ura komunikimi ndërmjet të dyja anëve.
Por, në anën tjetër kompanitë serbe, sipas mediave të Tiranës, kanë prezencë të fortë në Shqipëri në sektorët e tregut farmaceutik, të shërbimeve të transportit ajror apo të impianteve të trajtimit të ujit. Një kompani shpedicioni e Serbisë gjithashtu operon në portin e Durrësit, ndërkohë që rrethi i kompanive serbe në Shqipëri vijon të rritet. Autoritet serbe e kanë pranuar se Shqipëria është një vend potencial për investime, dhe se së shpejti një kompani e madhe serbe do të vijë për të investuar.
Nga data 18 deri më 21 prill u mbajt Panairi ekonomik i Prishtinës, kurse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kishte porositur afaristët që të shkojnë në këtë Panair dhe sipas raportimeve të mediave serbe, Vuçiqi e kishte shprehur hapur kanë përkrahjen e tij “që të fitojmë me ekonomi dhe me ekonominë tone”. Siç njoftonte Tanjug, Vuçiqi kishte thënë se këmbimi tregtar me Kosovën është rreth 500 milionë euro. Ndërsa nga Kosova në Serbi kanë shkuar mallra me vlerë jo mbi 30 milionë euro Në këtë panair morën pjesë mbi 70 kompani serbe, dhe vetëm një nga Shqipëria (!)
Nëse dje ankoheshim se të tjerët po na pengojnë të bashkëpunojmë, sot pa hezitim mund të themi se ne vet po nxjerrim shumë cunga për ta bërë sa më të vështirë bashkëpunimin dhe komunikimin brendashqiptar. Kështu e ka “vllaznillëku”! (koha.mk)