“Edhe pse kohët e fundit shënohet një trend përmirësimi i këtij bashkëpunimi falë edhe masave qeveritare stimuluese, megjithatë e tërë kjo varet nga vullneti i mirë i palëve që nuk është obligues. Bile, na mungon një model i tillë ku në bazë të subvencioneve që ju ofrojmë investitorëve të huaj dhe që i paguajmë ne si taksapagues, do të përcaktohej edhe niveli i bashkëpunimit prej 2, 3 apo 9 për qind”, thotë Angelevski
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 mars – Bashkëpunimi i kompanive vendore dhe investitorëve të huaj që punojnë në Zonat ekonomike është aq i vogël dhe i papërfillshëm saqë mund të matet me peshoren e farmacisë. Nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë thonë se niveli tejet i ulët i bashkëpunimit të ndërsjellë mund të përmirësohet vetëm një angazhim të përbashkët të bizneseve vendore dhe investitorëve të huaj si dhe shtetit, shkruan gazeta KOHA. “Nevojitet që të dyja palët të angazhohen më fuqishëm që të rritet niveli aq i ulët i bashkëpunimit që nëse flasim si vlerë përkundër të dhënave të ndryshme statistikore, është aq i vogël saqë mund të matet edhe me promil farmaceutike. Edhe pse kohët e fundit shënohet një trend përmirësimi i këtij bashkëpunimi falë edhe masave qeveritare stimuluese, megjithatë e tërë kjo varet nga vullneti i mirë i palëve që nuk është obligues. Bile, na mungon një model i tillë ku në bazë të subvencioneve që ju ofrojmë investitorëve të huaj që i paguajmë ne si taksapagues, do të përcaktohej edhe niveli i bashkëpunimit prej 2, 3 apo 9 për qind”, thotë anëtari i Këshillit drejtues të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Trajan Angelevski.
Sipas tij, kompanitë e huaja me menaxhment më cilësor janë të interesuara më shumë për bashkëpunim me kompanitë vendore. “Ne, si biznese vendore nuk i dimë nevojat për furnizime të investitorëve të huaj, ku për shembull, mund të theksoj si shembull pozitiv kompaninë BALFIN, e cila edhe pse ligjërisht nuk është e obliguar, ajo i shpall publikisht furnizimet e saja publike”, shton Angelevski. Më tej, ai shton se bankat në shtet duhet të kenë një marrëdhënie më të ngushtë bashkëpunimi me kompanitë vendore që kërkojnë kredi për të investuar në prodhimtari.
“Bankat vendore ju kërkojnë kompanive vendore si sigurim apo kolateral, patundshmëri dhe nuk pranojnë makineritë si garanci për kthimin e kredisë. Kjo nënkupton që për 100 makina, për shembull, kërkohen 100 banesa si garanci”, shton më tej Angeleski. Nga Lidhja e Odave Ekonomike ankohen se sfidë për kompanitë vendore në të ardhmen mbetet edhe përgatitja më e madhe materiale, teknike, kadrovike, trajnimet si dhe ngritja e cilësisë së prodhimtarisë, ndërsa si shtet nevojitet që angazhim më i madh edhe për sigurimin e kuadrit të nevojshëm teknik që del nga shkollat e mesme.
Nga ana tjetër, drejtori i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Aleksandar Zarkov thotë se anketat kanë treguar se vetëm 4 për qind e bizneseve janë pjesë e zinxhirit të vlerës së zonave të lira ekonomike, 6 për qind sigurojnë një lloj shërbimi, dhe 13 për qind kanë ndonjë lloj të bashkëpunimit apo bashkëpunojnë me investitorët e huaj, ndërsa bile 59 për qind nuk kanë dhe nuk ndërmarrin n asnjë masë konkrete që të tejkalojnë një situatë të tillë.
“Kompanitë e mëdha kanë përqindjen më të lartë në zinxhirin e vlerës të kompanive në zonat e lira ekonomike me 10 për qind, ndërsa tek kompanitë e vogla kjo përqindje është maksimalisht 5 për qind. Njëherazi kompanitë e mëdha marrin pjesë me 10 për qind në logjistikën e tyre. Nga kjo mund të konstatohet se bizneset e mëdha janë partner që mund të sigurojnë mallra dhe shërbime me kohë dhe cilësi standarde, për dallim prej 99.7 për qind të kompanive të vogla dhe të mesme që kanë resurse të kufizuara për bashkëpunim me kompanitë në zonat ekonomike”, thotë drejtori Zarkov. Në ndërkohë, ekzekutivi me më shumë masa angazhohet që të rritet bashkëpunimi ndërmjet kompanive vendore dhe të huaja , duke rritur ndihmën për mbi 250 kompani vendore për blerjen e teknologjisë përkatëse. Njëherësh, në analizën e tyre Instituti ekonomik, Fajnens Think rekomandon masa për procesin e standardizimit, stimulimin e prodhimtarisë së lëndës së parë si dhe uljen e mëtejshme të kompensimeve doganore dhe thjeshtësimin e procedurave doganore për import në favor të rritjes së bashkëpunimit midis kompanive të huaja dhe vendore. (koha.mk)