Shkup, 13 qershor – Ministri i Transparencës dhe Llogaridhënies, Robert Popovski dhe ambasadori britanik Çarls Gareth sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim midis dy qeverive për mbështetjen në krijimin dhe realizimin e Strategjisë për komunikime të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Ky, sipas ministrit Popovski, është angazhim i rëndësishëm në ndërtimin e standardeve të larta dhe zbatimin e parimeve më të mira dhe përvojave në komunikime, transparencë dhe llogaridhënie për punën e Qeverisë.
Memorandumi e zyrtarizon bashkëpunimin midis Qeverisë së Maqedonisë dhe Britanisë i cili filloi me formimin e Qeverisë aktuale të Maqedonisë dhe përcakton se do të zgjasë edhe në dy vitet e ardhshme.
“Ky Memorandum për bashkëpunim në servisin për komunikime të Qeverisë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut dhe të Sektorit për marrëdhënie me opinionin të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, është një hap përpara drejt komunikimit më të mirë, më përgjegjës dhe më esencial të Qeverisë dhe aktiviteteve të saj në dobi të qytetarëve të vendit tonë”, tha Popovski.
Në interes të qytetarëve është, shtoi ai, ata të kenë shqyrtim më të madh dhe më të saktë si Qeveria disponon me paratë dhe i mbron interesat e qytetarëve si i krijon politikat dhe prioritetet dhe si i realizon qëllimet e premtuara.
Popovski përkujtoi se programi për punën e Qeverisë 2017 – 2020 si dhe në Planin 3-6-9 përfshinë paketë aktivitetesh të cilat janë drejtuar nga transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia dhe e reflektojnë angazhimin për zbatimin e plotë të konceptit Qeveri e hapur.
Ambasadori britanik Gareth pas nënshkrimit të Memorandumit e potencoi rëndësinë e komunikimit të mirë të qeverive me qytetarët dhe organizatat me qëllim që t’i shpjegojë politikat e saj dhe aktivitetet dhe të barten informacionet atyre që u nevojiten.
Për këtë qëllim, sipas tij, nevojitet komunikim efektiv dhe efikas.